Moti i keq, bora bllokon disa rrugë, shirat kërcënojnë me përmbytje

0
257
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ministria e Mbrojtjes bëri me dije situatën më të fundit nga moti i keq në vend, ku në zona me lartësi mbi 400 metër mbi nivelin e detit, ka pasur reshje dëbore. Situata në tërësi nuk është problematike, ndërsa reshjet e dëborës kanë bllokuar disa akse të thella malore. Intensiteti më i lartë i reshjeve ka qenë në pjesën e dytë të ditës, shoqëruar me breshër të izoluar. Era ka fryrë e fortë, në bregdet deri 55 km/orë, nga juglindja.

Qarku Shkodër

Aksi rrugor rural Shkodër-Theth është i bllokuar nga dëbora në vendin e quajtur Qafë Thore. Aksi rrugor rural Shkodër-Breg Lumi, në vendin e quajtur Mali Shoshit, është i bllokuar pasi ka rreth 30 cm dëbore. Aksi rrugor rural Selcë-Vermosh është i kalueshëm me zinxhirë pasi ka rreth 30 cm dëbore. Në të gjitha këto akse vazhdojnë reshjet e dëborës.

Bashkia Pukë

Territori i bashkisë Pukë prej mëngjesit është përfshirë nga reshjet e borës. Deri në këto momente situata paraqitet e qetë dhe pa probleme, ndërkohë që reshjet e dëborës vijojnë të bien me intensitet të lartë. Trashësia e borës në qytet është 3 cm, ndërsa në lartësitë malore i ka kaluar 20 cm. Të gjithë akset rrugore nacionale dhe rurale në territorin e bashkisë Pukë janë të kalueshme pa probleme. Në akset rrugore nacionale mjetet e subjektit kontraktor që mirëmbajnë këto akse po punojnë me intensitet. Në aksin rrugor nacioanal Pukë-Fushë Arrëz, si dhe anasjelltas,  është e domosdoshme hedhje më shumë e kripës në rrugë, pasi në disa pika ka rrezik rrëshqitje të automjeteve. Një mjet fadromë që disponon bashkia është në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast kur është e nevojshme.

Bashkia Fushë-Arrëz

Në disa segmente kalimi është me vështirësi dhe rekomandohet përdorimi i zinxhirëve. Aksi rrugor rural Fushë Arrëz-Iballë është hapur dhe po punohet për mbajtjen hapur të tij pasi reshjet e dëborës po vazhdojnë të bien dhe i kalojnë 50 cm në disa segmente të tij.

Qarku Kukës

Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e borës dhe pjesërisht ato të shiut të shoqëruar me erëra të forta nga verilindja. Aktualisht akset rrugore nacionale që përshkojnë Qarkun e Kukësit janë nën prezencën e borës dhe efektin e rënies së gurëve dhe dherave prej skarpateve. Aktualisht është kjo gjendje në akset të cilat janë prekur nga këto kushte atmosferike: Rruga e Kombit është e kalueshme normalisht. Po punojnë 4 borëpastruese dhe 4 janë në gatishmëri. Lartësia e borës në Tunel-Kalimash është 20 cm. Gjithsej nga firmat kontraktore janë vënë në punë 16 mjete me 64 punëtorë, 10 mjete janë në gatishmëri.

Akse të bllokuara.

Aksi rrugor rural që lidh fshatin Lojme të njësisë administrative Zapod me bashkinë Kukës. Aksi rrugor rural që lidh njësisë administrative Arrën me bashkinë Kukës. Kanë punuar nga bashkitë 15 punonjës dhe 4 mjete.

Qarku Dibër

Sot i gjithë qarku Dibër u përfshi paradite nga reshje të dobëta shiu dhe dëbore, ndërsa në orët e pasdites reshjet e shiut filluan me intensitet më të lartë, shoqëruar me dëborë të dendur qenë disa zona arriti deri në 40 cm. Aktualisht reshjet vazhdojnë por me intensitet më të ulët. Për shkak të reshjeve gjendja në infrastrukturën rrugore paraqitet si me poshtë vijon: Në të gjithë qarkun rrugët nacionale janë të qarkullueshme. Problem është shfaqur në segmentin e aksit rrugor nacional Qafë Bualli-Martanesh, bashkia Bulqizë, pasi nga reshjet e dëborës është bllokuar ky segment, por po punohet me fadromë nga subjekti kontraktor, i cili po mban këtë aks rrugor të hapur. Problem përben segmenti rrugor nacional Ura e Qytetit-Zerqan, bashkia Bulqizë, ku ka prani të mbi 25-30 cm dëborë, rruga e bllokuar. Po punon subjekti kontraktor për hapjen e saj. Gjithashtu, problem në qarkullim nga reshjet e dëborës përben rruga nacionale Ura e Çerenecit-Steblevë, ku kalohet me vështirësi. Rruga rurale Klenjë-Trebisht-Ostren, është e bllokuar pasi ka prani të mbi 40 cm dëborë. Në bashkinë Dibër, problem nga dëbora përbën rruga rurale Selishtë-Peshkopi dhe rruga rurale Peshkopi-Lurë, në të cilat kalohet me vështirësi pasi ka prani të mbi 30-35 cm dëborë. Në pikën doganore të Trebishtit si pasojë e rënies së inerteve dhe borës në rrugë ka pasur një bllokim të përkohshëm të aksit rrugor por mjete dhe forca nga bashkia Dibër dhe subjektit kontraktor kanë punuar dhe normalizuar situatën. Aktualisht ky aks rrugor është i kalueshëm.

Qarku Korçë

Gjatë mesditës pati reshje të dendura dëbore dhe për këtë arsye pati vështirësi në qarkullimin e automjeteve në aksin rrugor nacinal Pogradec-Qafë Thanë, por ndërhyra e 5 mjeteve borëpastruese bëri të mundur hapjen e aksit.

Qarku Vlorë

Nga reshjet shumë të dendura të rëna gjatë mesditës në qytetin e Vlorës ka pasur rritje të nivelit të ujit në disa akse rrugore, si më poshtë:

•         Rruga; Biblioteka – Kisha

•         Rruga; Pas universitetit.

•         Rruga; Lagja 10 Korriku (bobinazhi)

•         Rruga; Hasan Kushta, tek  lokali Albano dhe Romina.

Rrugët janë kaluar me vështirësi për disa minuta, por situata u normalizua dhe aktualisht rrugët janë të kalueshme pa probleme. Strukturat e UK janë në terren. Të 3 mjetet vetëshkarkuese të tonazhit të lartë të kërkuara nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Vlorë pranë Ministrisë së Mbrojtjes nëpërmjet QKOEC së DPEC për mbushje (përforcimin me gurë), të  argjinaturës dhe trasesë së hekurudhës në Novoselë mbërritën dhe filluan punën gjatë pasdites. Prurjet e lumit Vjosë kanë qenë të larta por nën kufirin kritik dhe nuk kanë krijuar probleme në të gjithë qarkun.

Zjarr Tv Ad