Moti i keq ka përfshirë gjithë Greqinë, me temperatura të ulëta, dëborë e ngricë në shumë zona. Për ditë me radhë vijojnë reshje dëbore edhe në zona qendrore, madje deri në jug të Greqisë. Sipas sinoptikanëve në orët në vazhdim priten furtuna, shira të rrëmbyeshëm në Jonin qendror dhe Egje, në bregdet, ndërsa në zonat malore e qendrore sërish dëborë.
Në Maqedoni e Thrakë, Thesalia Perëndimore, ishullin Evia dhe Egjeun Verior nga orët e para të mëngjesit ka dëborë të dendur që vazhdoi edhe gjatë ditës. Dëborë bie edhe në Selanik dhe në veri të Athinës, në Trikala ku ka arritur në 50 cm, Larisa e qytete të tjera. Ndërsa në Follorinë në veri të Greqisë dëbora ka kaluar 1 m.
Temperaturat kanë arritur në -14 gradë në Follorinë e -12 në Epir, zonat përreth Janinës janë mbuluar me dëborë gjithashtu. Moti i keq ka shkaktuar shumë probleme në qarkullimin rrugor, si në veri të Greqisë, Kavala, Drama, Kostur, Ksanthi etj. edhe në autostradën Athinë-Lamia, Athinë-Patra, në Magnesia, Ftiotida, Evritania etj.
Nuk funksionojnë autobusët ndërqytetës në mjaft zona, kryesisht në ato veriore veriore të vendit. Një natë më parë probleme të mëdha u vunë re në aeroportin Maqedonia të Selanikut, ku mjaft fluturime u anuluan, ndërsa udhëtarët që kishin destinacion Selanikun u ulën në aeroportin Sofias dhe Timisoara.
Retë e ulëta dhe dëbora e shumtë kanë ndaluar fluturimet, ndërsa më i vështirë ka qenë fluturimi i 201 pasagjerëve të kompanisë Ryan Air nga Londra me destinacion Selanikun, mes tyre shumë fëmijë, që ndodhen akoma në Timisoara të Rumanisë. Sot paradite kanë rifilluar fluturimet, pas natës së vështirë me anulime të vazhdueshme, ku pasagjerët e shumë të periudhës pasfestive janë fotografuar të flenë edhe në banjat e aeroportit të tejmbushur.