‘Mu fanite Albinë, e ulur në bankën e tretë, më pyete…’, profesori i dedikon letrën e ndjerë studentes, banka e saj bosh pas aksidentit tragjik në Bullgari

0
47
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Prof. Xhelal Zejneli, mësuesi i një prej viktimave të aksidentit të tmerrshëm që ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Bullgari, i ka kushtuar një letër të hapur shumë të ndjerë nxënëses së tij, e cila u nda nga jeta teksa kishte udhëtuar për disa ditë pushime me të fejuarin e saj.

Postimi i plotë në Facebook

… E TI ALBINË, NË VALLEN E YJEVE LASGUSHIANE

Në mediumet e Shqipërisë, lexova emrin Albina. Sakaq, pashë dhe fytyrën e saj engjëllore. Do të jetë ajo, nxënësja ime e para ca viteve. Ngjarjet e tilla janë të trishtueshme.

* * *

M’u fanite, Albinë, e ulur në bankën e tretë, pranë dritareve. Me “Procesin” mbi bankë. Afër librit, edhe fletorja e lektyrës. Në krye të faqes, lexova: “Jozef K., në labirintet kafkiane”.

M’u fanite, Albinë, me dorën përpjetë, për ta marrë fjalën dhe për të më pyetur: “Kush është Estragoni dhe a do të vijë ndonjëherë Godoja?” E hoqe me krah Beketin dhe prite përgjigjen. M’u fanite Albinë, kur më pyete: “Merso vrau për shkak të diellit, ç’do të thotë, të vrasësh për shkak të diellit?!” Më dole para, Albinë, në bankën e tretë, pranë dritareve, me Dostojevskin ndër duar dhe pyetjen: “Kush e vrau Raskollnikovin, vrasës?!”

M’u kujtove, Albinë, kur dole para klasës për ta deklamuar Zhak Preverin dhe poezinë legjendare “A të kujtohet Barbara”. Tridhjetë e dy nxënësit e klasës ishin stepur në vend. Dukeshin si të ngrirë. Pas kësaj, shpërtheu një frymëmarrje e thellë. Dhe një duartrokitje frenetike.

M’u kujtove Ti, me buzëqeshjen e padjallëzuar, me fytyrën engjëllore, në bankën e tretë pranë dritareve. Mbi bankë, çanta ngjyrë kafeje. Një fletore me lapsin mbi të dhe “Vallen e yjeve” të Lasgushit. Erdhi dimri, një dimër i acartë, e ti e brishtë. Ta ndërrova vendin, dole në rreshtin pranë murit. Më the: “Dy herë e lexova Markezin, s’arrij dot ta kuptoj”.

S’më shqiteshin kujtimet Albinë. M’u kujtua hartimi yt. Ishe në vitin e tretë. Kishe shkruar për babanë që s’e kishe parë kurrë. Në hartim kishe shkruar për vuajtjet tua shpirtërore: Ku e kam babanë? Përse të tjerët kanë baba, e unë jo? Baballarët e shoqeve të klasës shkojnë në mbledhje prindërore, babai im jo? Përse në sofër, ulemi pa babanë? Jote amë vazhdimisht të kishte thënë se babai yt një ditë do të kthehet.

M’u kujtua hartimi yt, ku shkruaje për çastin plot dhimbje, për një fëmijë të klasës së parë fillore, që mëson nga e ëma se babai i kishte vajtur në dritën e amshimit qiellor dhe se ai nuk do të kthehej më. Në rrëfimin tënd plot dëshpërim, pashë tronditjen e thellë shpirtërore që ti 7-vjeçe, kishe përjetuar në atë çast rrëqethës.

Hartimin tënd Albinë, e lexuan edhe nëpër klasat tjera. E notuan, jo unë por shokët e klasës, të gjeneratës. Pas shumë kohësh, të takova në sheshin Iliria, me tët amë. Më tha se hartimin e ruanin, sot e gjithë ditën.

Sot Albinë, banka e tretë, pranë dritareve, m’u duk e zbrazët. Mbi të, një çantë, pa ty. Fletorja e mbetur hapur. Një laps, që s’do të lërë më gjurmë. Gjurmët e jetës, të kohës. Një klasë, e mbetur pa frymë, si atë ditë kur deklamove “Barbaranë”. Një klasë, pa një fytyrë engjëllore, pa një buzëqeshje të virgjër. Një ditë e zbrazët, koha ishte ndalur, e Ti Albinë, në vallen e yjeve lasgushiane.

U ngjite në parajsën qiellore, bashkë me yllin e zemrës, pa e kënduar këngën e jetës, pa e luajtur vallen e yjeve. U ngjite në majat e detit të kaltër, pa e ngjeshur fustanin e nusërisë. U shkëpute për t’u ngjitur lartë, atje ku albatrosi me vetëtimë i mpin sytë, me stuhitë përplaset. Ndarje e trishtueshme, në çastin kur pritje të përkundje djepin e frytit tënd, t’i këndoje ninulla, të dëgjoje të shenjtën fjalë – nënë, t’ia tregoje “Kësulëkuqen” dhe “Alisën në botën e çudirave”. Por jo, Ti kurrë s’do të jesh e brezit të humbur. Do të jetosh Albinë, sot e mot, në kujtesën e shoqeve dhe të shokëve të klasës dhe të gjeneratës. Do të jesh e gjallë në kujtesën e atyre që të njihnin të çiltër dhe zemërbardhë. Prehu e qetë, Albinë, në gjirin e tokës arbërore, në parajsën e dritës qiellore, aty pranë babait, që kurrë nuk e njohe dhe s’e nxore nga zemra.

Lajm i kobshëm, dy silueta. Mbase, ylli i zemrës sate. Të pikturuara, dy fytyra engjëllore, sy plot shkëlqim, shpirt virgjër. Prehu pranë yllit të zemrës. Të përqafuar, prehuni bashkë. Engjëllorë që ty dy, të virgjër, plot dritë jete, melodi e ndërprerë, shkëlqim bukurie – bodleriane dhe platonike. Re të zeza kudo pranë nesh. Korba ndjellakeq na ndjekin këmba-këmbës. Një buzëqeshje plot njerëzi, e kapluar nga heshtja e trishtueshme. Një dritë syri, përjetësisht e shuar. Një lot në mollëzën e nënës, përgjithmonë i ngrirë.

Zjarr Tv Ad