Mukwege: Në Kosovë për.dhu.nimet janë përdorur si teknikë e spastrimit etnik

0
8

Fituesi i çmimit Nobel për Paqe për vitin 2018, Dr. Denis Mukwege, tha të hënën se përdhunimet gjatë luftës në Kosovë janë përdorur si teknikë e spastrimit etnik.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të themelimit të Qendrës së Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, organizatë kjo që merret me trajtimin e rasteve të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë.

Mjeku Mukwege, ka kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij duke ndihmuar viktimat e dhunës seksuale në Republikën Demokratike të Kongos. Ai dhe personeli i tij kanë trajtuar mijëra viktima të sulmeve të tilla.

Dr. Mukwege tha se mosndëshikimi i autorëve të dhunës seksuale gjatë luftës dërgon porosi negative për të gjitha viktimat dhe se sipas tij shërimi i viktimave të përdhunimeve do të mund të bëhet vetëm atëherë kur të fillojnë të flasin të gjithë ata që kanë përjetuar një gjë të tillë.

“Heshtja është një armë absolute që lejon vazhdimin e dhunës seksuale, armë që mbron kryesin e aktit. Nëse e lëmë të pa shqetësuar atëherë ai do të vazhdojë dhunën. Faktori i dytë është mosndëshkimi. Njëzet vjet nga lufta në Kosovë, nuk ka pasur dënime në asnjë rast. Ky është një mesazh shumë negativ për viktimat e dhunës seksuale. Drejtësia jo vetëm që luan rolin e ndëshkimit, por gjithashtu luan një rol në parandalimin e gjërave të tilla, që të mos ndodhin përsëri duke ndihmuar viktimën të rimëkëmbet”, tha ai duke nënvizuar se është detyrë e mbarë shoqërisë t’i dilet në ndihmë kësaj kategorie.

“Kudo qe shkojmë do të gjejmë pasojat e njëjta, por në Kosovë përdhunimi është përdor si teknikë e spastrimit etnik ose duke e detyruar popullatën të ikin prej vendit të tyre. Në Siri bëhet shitja e grave dhe është turp i njerëzimit tonë. Përdhunimi i luftës nuk duhet të ngatërrohet me një akt seksual pa pëlqim dhe poshtërue. Përdhunimi është t’i mohohet karakteri njerëzor dhe synon shkatërrimin e gruas. Përgjegjësia jonë e përbashkët ka për qëllim t’i përgjigjet me humanitet kësaj të keqeje”, tha zoti Mukwege.

Drejtoresha e Qendrës së Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha se këto njëzet vjet nuk kanë qenë të lehta pasi që sipas saj të mbijetuarat e dhunës seksuale shpesh herë janë gjetur të vetmuara dhe të paragjykuara.

“Në rrethana të tilla të mbijetuarat e dhunës seksuale janë gjetur shpeshherë të vetmuara dhe mund të them në përvojën tonë 20 vjeçare të dëshpëruara, të lënë anash nga familja, shoqëria por edhe institucionet. Shumica e viktimave fatkeqësisht kanë qenë gra dhe vajza, përderisa kishte raporte për të mbijetuar meshkuj të dhunës seksuale”, tha zonja Rushiti.

Ajo tha se edhe pas njëzet vitesh ende nuk dihet saktësisht numri i personave të përdhunuar gjatë luftës në Kosovë

“Bilanci i këtyre krimeve të përdhunimeve të luftës nuk mund të dihet saktësisht por burimet ndërkombëtare thonë se janë rreth 20 mijë veta, fatkeqësisht shumë nga to kanë vdekur, shumë nga ato janë të zhdukura. Fatkeqësisht gratë dhe vajzat kanë qenë shënjestër drejtpërdrejt të dhunës si mjet lufte, luftë e cila për to kurrë nuk do të ketë një fund pasi që gratë e përdhunuara gjatë luftës jo vetëm që janë viktima të dhunës seksuale, por të mbijetuara të torturës por edhe bartëse të kësaj episode të rënd. Ato shpesh janë viktima të paragjykimit dhe të diskriminimit”, tha zonja Rushiti.

Ende nuk dihet numri i saktë, por besohet se mijëra ishin viktima të përdhunimeve nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Numri i saktë mbase nuk do të mësohet kurrë dhe rrëfimet rreth tyre deri vonë ishin shumë të pakta për shkak të frikës nga stigmatizimi. Deri tash askush nuk është dënuar për këtë krim, ndonëse është i dënueshëm me ligjet vendase e ndërkombëtare.