Mulosmani: Barku i Partisë Socialiste, është i mbarsur me një pasardhës monstër i shkëlqyer si Erion Veliaj….

0
134
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Ermal Mulosmani

Pasi të numërohet edhe vota e fundit e 25 Prillit dhe narkoza e shpresës “zgjedhjet 2021” do të davaritet, opozitarët do të kuptojnë që operacioni doli: “i pasuksesshëm! Plaga duhet rikoperuar! Por ky nuk është një operacion aq i thjeshtë. Duhen ustallarë të sprovuar që pacienti të mos vdesë…Sëmundja e ka dwmtuar trupin frontalisht dhe duhet një ndërhyrje kirurgjikale qysh në rrënjë…

1.Pushteti absolut i Edi Ramës në vend zuri fill në ndryshimet kushtetuese të 2008-ës. Atë kohë, 44 vjeçari pregatitej të vinte në pushtet dhe rregullat e vjetra demokratike i rrinin ngushtë. Si mundet të pranonte një Kryetar si Rama sistemin maxhoritar që prodhonte konkurencë politike dhe ushqehej nga merita personale? Nuk dihet me saktësi pse Berisha ia plotësoi atë dëshirë por autoritarizmi i Ramës filloi aty. Humbja e 2009-ë vetëm sa e shty ca në kohë. Edi Ramës i kishte mbetur edhe një pengesë në rrugën e tij të gjatë të mbretërimit. Një ëndërr e vjetër e parealizuar, zhdukja totale e Partisë së Ilir Metës, aleatit të tij strategjik në zgjedhjet e 2013-ës. Një mosbesim reciprok dhe syçelësi intrigante ishte karakteristika 4 vjeçare e qeverisjes së tyre. Të dy mendonin se po mbanin gjarprin në gji prandaj dhe nuk flinin rehat. Kur u sigurua që gjarprit i ikën dhëmbët, Rama e hodhi në folenë e Presidencës. Ishte fillimi i projektit të ri, zhdukjes totale të LSI-së. Për këtë qëllim duheshin edhe njëherë ndryshime kushtetuese, duheshin 84 vota. Kjo dukej një pengesë e pakapërcyeshme në Janar 2019. Por jo edhe në Shkurt. Vendimi i Opozitës (ndër të tjerë edhe 19 LSI-as) për braktisjen e Parlamentit ishte dhuratë nga Perëndia për Edi Ramën.

Rekrutimi i rreth 40 zëvendësuesve nga listat e opozitarëve ishte një nga veprimet më spektakolare politike të Ramës. Edhe tallej me kundërshtarët duke përqeshur surrogatët si zgjedhje e tyre nga ana tjetër i shfrytëzonte ata sa herë i duheshin votat e tyre. Ardhja e surrogatëve qesharakë e ktheu Parlamentin në një skenë humori ku në fakt po luhej një akt fort serioz. Një rast i tillë të vjen një herë në jetë. Nën petkun e respektimit “të dëshirave të votuesve” (kush flet për dëshira të votuesve!) për lista të hapura, Kryeministri zhduku autobusin e Partisë së madhe që mbante brenda fugonat e partive të vogla: “Mund të futen vetëm shoferët-tha Rama- por jo edhe fugonët”. A kishte të drejtë? Ndoshta po. A ishte mënyra e duhur? Absolutisht jo. Surrogatët qesharakë nuk duhej të kishin të drejtë të ndryshonin Kushtetutën. Mirëpo skrupujt moralë dhe Edi Rama janë si dy drejtëza paralele në botën politike. Kush shpreson se ato do të takohen një ditë është thjesht një naiv. Partia Demokratike bënte sehir zemërplasur tek shihte keqpërdorimin e veprimit të tyre të trashë. Pasi u mori gjitha bashkitë e Shqipërisë, pa asnjë brengë morale, Edi Rama, po u merrte me ligj edhe mandatine tretë. Ishte një skenë ku përzihej dëshpërimi, pafuqia dhe marazi nga diversioni politik si shfaqje publike e perversitetit moral.

Ndryshimet kushtetuese të Gushtit 2020 praktikisht i dhanë mandatin e tretë Edi Ramës.

2.Nuk ka kohë për vajtim. Edi Rama prej 8 vitesh është njeriu më i fuqishëm në Shqipëri. Të gjitha akuzat politike, mediatike, financiare, korruptive u fshinë me gomën e madhe të zgjedhjeve politike. Kjo është njëra anë. Nga ana tjetër barku politik i Partisë Socialiste është i mbarsur me një pasardhës po aq monstër politike dhe makiavelist i shkëlqyer si Erion Veliaj. Atëherë si i bëhet? Si do përballohen këto kafshë politike nga një politikan me profilin e Lulzim Bashës? Që mendon se “Ramës do i vijë turp, ndoshta”? Ka vetëm një mënyrë, të ndërrohet lideri i Opozitës! Kur e them këtë nuk është se nuk kam keqardhje. Basha ndoshta ka staturën e liderit në një botë tjetër, me rregulla të mirërespektuara por kurrsesi në xhunglën shqiptare të politikës. Aty është e pamundur të mbijetojë. 600 mijë shqiptarë që i kanë mbajtë shpresat e tyre te elokuenca, sharmi dhe mirësjellja politike e zotit Basha tashmë janë të zhgënjyer.

3. Për një moment e mendova Partinë Demokratike si biznes dhe veten time si pronarin e atij biznesi. Kujt do t’ia jepja atë biznes për ta menaxhuar? Kush e ka profilin e duhur për të konkuruar Edi Ramën, karakterin e fortë, lidershipin, mençurinë, ambicien dhe cv-në e duhur për ta kompleksuar Edi Ramën? Lideri i ri i PD-së do të doja të vinte nga Jugu i Shqipërisë. Kur shikon harten elektorale të fituesve në Shqipëri, çdo njeri duhet të ndihet keq. Në zgjedhjet e vitit 2017 ishte lumi Drin kufiri i poshtëm i PD-së, këtë radhë ka zbritur deri në lumin Mat. Duket sikur PD është një Lega Nord i Shqipërisë me tropojanë, shkodranë, kuksianë e dibranë. Kjo dramë vizuale, ky perceptim dëshpërues që bërtet edhe kur nuk e flet, duhet të zhduket. Partitë shqiptare marrin pamjen e liderit. Është koha që lideri i PD-së të jetë nga Jugu, ta njollosë edhe Vjosën, Shkumbinin e Osumin me njolla blu. Shqipëria do jetë shumë më e mirë nëse njollat lejla do të duken në Veri dhe ato blu në Jug. Kjo është një Shqipëri më e bukur. Jemi shumë pak territor dhe njerëz për të qenë kaq të ndarë. Ndaj nëse do të zgjidhja drejtuesin e ri do të kërkoja një figurë poshtë Shkumbinit. Ky është kriteri i parë.

Zjarr Tv Ad