Deputeti opozitar Myslim Murrizi, gjatë fjalës së tij në foltoren e Parlamentit, komentoi rezultatin e Zgjedhjeve të 25 Prillit. Sipas Murrizit, Zgjedhjet janë manipuluar dhe shkoi deri aty sa të hidhte akuzën se lideri demokrat Lulzim Basha dhe Kryeministri Edi Rama, bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Murrizi tha se pjesë të fajit në rezultat ka edhe marrëveshja e 5 qershorit, ku theksoi se me një tjetër Kod Zgjedhor, rezultati mund të ishte ndryshe.
“Të nderuar qytetarë shqiptarë, doja të uroja qytetarët që me votën e tyre ndihet rehat, pas 25 prillit e në 4 vite në vazhdim për atë forcë politike që ka çuar në kuti. Unë kam thënë që të merren vaksinat për qytetarët shqiptarë. Ajo që është prezent këto ditë në politikë, në media, në portale, është teatri i radhës i betejës para plazhit të ortakut tuaj ndër vite, që të dielën shpalli fitoren. Hajde të qeverisim së bashku. Zoti Balla, që je superdeputeti më i votuar në fushatë. Para zgjedhjeve kisha dëgjuar të parin tuaj që thoshte që këtë mandat e dua për Zahon e jo për vete, tani i bën ftesë Lulit për të qeverisë.
A e ka dashur për Zahon apo për Lulin? Apo njësoj i konsideron. Kur ankoheni ju që kishit në 92 qendra numërimi, në 460 tavolina, 920 numërues hajdutë tuaj, disa të Lulit dhe të Monës, por ne subjektet e tjera që morëm ça na latë ju, ç’të bëjmë, të marrim sfurqet? Hera e parë në 30 vite post-komunizëm që dalin 10 mandate të pavlefshme, 83 mijë vota në të gjithë Shqipërinë, më shumë se 5% e zgjedhësve që morën pjesë. Këto numërues kush jua caktoi. Si nuk artikuluat asnjë fjalë për 5 qershorin? Në 5 qershor kam kërkuar depolitizomi të plotë administratës zgjedhore. Nuk pranonte Oerti dhe Petriti gjallë. Tani shoh rezultatin. Petriti ka marrë vota sikur të jetë kryeplak i Farkës.
Oerti gjysmën e votave të Igli Carës, ky paska qenë halli. Kur Luljeta juaj, që është më e vjetra do të drejtojë seancën do të ngrihen në këmbë dhe do të thonë betohem. Pse s’e kam votuar atë kod zgjedhor, kërkuam që vota të jetë e barasvlershme në çdo cep të Shqipërisë e përkthyer në mandate. Asnjë pikë respekti skam për LSI, që ditën që jam ulur në këtë karrige nuk kam thënë që kurrë nuk do të bashkohesha me LSI. Por ajo ka marrë katër mandate në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa PSD ka marrë 35 mijë vota dhe ka marrë 3 mandate.
E kjo është deformimi i 5 qershorit i hartuar nga Oerti dhe Damiani, i firmosur nga Petriti. Nëse do të ishte sistem i pastër kombëtar Petriti do të kishte 10 mandate. Ndërsa do të ishte votë e hapur Petriti nuk hynte në Parlament. Shoh një garë që e shisni si sukses, meritë. Po të shohësh votat tuaja dhe PD, votuesit tuaj ishin akademikë. 83-84% kanë votuar në çdo qark edhe votë preferenciale. Ata tanët nuk dinë, ato votues në të gjithë Shqipërinë, nuk ishin kaq intelektual sa tuajt. O pika që s’ju bie! Votuesit mercenarë kanë dërguar vota me shumicë atje kur të aprët e fushatave kanë thënë. Sidomos në qarkun e Tiranës. Ftoj në 9 shtator, ata deputetë, që edhe herësi i lejon të ulen në këto karrige, të kenë kurajo, moral, se të qenurit të punësuar në Kuvend si punëtor të partisë. Edhe pse është garë fallso, e stisur.
I thash Pandit hajde të bashkojmë votat, nuk dëgjoi. Nuk vjen Kodheli në Parlament dhe Majko që kanë dalë ndër më të votuarit. Mes mandatit dhe surratit, i bëj thirrje miqësisht ata që kanë surrat të pyesë surratin. Edhe pse ishte lojë e stisur. Ju garantoj që kur të mbyllet kjo katrahurë, do të paguaj që të rihap kutitë e qarkut, Fier, Durrës, Tiranë dhe Korçë. Do të marr kredi, sepse nuk latë pronarë për t’u na ofruar. po na përgjoi SPAK-u bizneset e mëdha që kanë marrë tendera ju rrini në rresht”, tha Murrizi.