Për herë të parë, Isa Mustafa ka folur për nismën e Hashim Thaçit për transformimin e FSK-së në Ushtri nëpërmjet ndryshimeve Ligjore. Kryeministri, me këtë rast, ka thënë se s’do të ketë formim të ushtrisë pa u koordinuar me Amerikën dhe NATO-n.
“Formimi ushtrisë vetëm me koordinim me Amerikën dhe NATO-n”, ka thënë Mustafa në përvjetorin e LDK-së në Podujevë.
Presidenti Thaçi e ka dërguar Projekligjin në Parlament, ndërsa, ka shkuar edhe në Qeveri për miratim. Ende nuk është kthyer ky dokument te deputetët për votim, transmeton Express.
Zyrtarët amerikanë dhe ata të NATO’s kanë kërkuar që ushtria të formohet duke bërë ndryshime Kushtetuese, ku kërkohen edhe votat e pakicave.
Ndërsa, Shefi i Shtetit, Hashim Thaçi ka thënë se serbët nuk pranojnë ndryshime kushtetuese, prandaj, e vetmja rrugë për ta bërë ushtrinë është përmes ndryshimeve ligjore në Ligjin për FSK-në.