“Na doli shpirti nga mëngjesi deri në fund të turnit të dytë”/ Do të jetë një vit i humbur, të merren masa për ndryshim shprehet eksperti i arsimit

0
23

Teksa ka kaluar një javë nga nisja e vitit shkollor, duket se të gjithë problemet janë shfaqur. Udhëzuesi i pakonsultuar me ekspertët e arsimit ka shfaqur mjaft vështirësi në zbatimin e tij, te nxënësit, mësuesit edhe vetë prindërit. Arsimtarët kanë një ngarkesë të jashtëzakonshme mësimore dhe po ashtu ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike. Disa shprehen se janë duke u përballur me vështirësi të cilat sipas tyre nuk i solli pandemia, por vendimet e shpejta të Ministrisë së Arsimit. Situata paraqitet e tillë në çdo qytet. Merita Xhika, mësuese në një shkollë 9-vjeçare në Elbasan, thotë se java e parë kaloi me mjaft problematika. Sipas saj kryesoi lodhja, stresi dhe puna pa asnjë minutë pushim, si të ishin skllevër.

“Sikur ishim një muaj në punë. Të lodhur për kohëzgjatjen. Të hutuar me të gjithë veprimtarinë. Na doli shpirti nga mëngjesi deri në fund të turnit të dytë dhe nuk mbahet mend çfarë arritëm”– shprehet ajo.

E pyetur mbi zbatimin e rregullave të protokollit anti-Covid ajo thotë se rregullat e distancimit ndiqen vetëm brenda shkollës.

“Jashtë shkollës, në mëngjes dhe kur ndërrohen turnet ka grumbullime para portës, nxënës, prindër. Duket si zgjidhje qesharake kështu. Mbaj maska kot, kur po na djersit dhe pengon. Duhet të kemi zgjidhje të tjera pasi në këtë mënyrë jemi asgjëkund”- shton më tej mësuesja e lëndës së Historisë.

  Merita Xhika, mësuese

Lodhja e mësuesve

Por, duket se moszbatimi i protokollit nuk është i vetmi problem, një tjetër shqetësim për ata është edhe puna pa pushim nga mëngjesi deri në darkë. Ata shprehen se nuk u lejohet të bëjnë pushim, pasi ndërrohen turnet dhe nuk mbetet kohë. Alban Brati mësues në një nga shkollat e kryeqytetit thotë se u duhet gjatë gjithë kohës të qëndrojnë në këmbë, deri në përfundim të turnit të fundit, i cili mbaron në orët e mbrëmjes.

“Jam i sigurt se zhvillimi i mësimit në këtë mënyrë do ndikoj shumë negativisht në shëndetin tim. Nuk e kam parë veten më keq se këtë javë gjatë mësimdhënies. Duart e mia më dukeshin sikur punoja në ndonjë furrë gëlqereje. Të luaj rolin e indiferentit nuk e bëj dot sepse vitet e punës dhe misioni nuk më lejojnë. Do vazhdoj sa të kem fuqi edhe pse jam i vetëdijshëm se shëndeti do dëmtohet”– thotë ai.

Shtimi i personelit

Alketa Demiri, mësuese e Matematikës në shkollën ‘Kosova’ Tiranë, thotë se nuk mund të vazhdohet gjatë në këtë mënyrë, duhet të ketë një zgjidhje tjetër. Ajo propozon shtim të mësuesve, në mënyrë që të zëvendësojnë njëri-tjetrin që t’u lehtësohet ngarkesa mësimore.

Duhet të marrin masat, të shtojnë mësuesit, të kanalizohet puna. Në këtë mënyrë nuk ka kuptim. Nëse nuk kanë buxhet për mësues të rinj, të marrin masa të tjera. Online nuk është alternativa, as në këto kushte rikthimi në shkollë nuk është zgjidhje. Ndoshta duhet të mbyllen edhe për një kohë. Ne e dimë që pandemia do të vazhdojë për një kohë të gjatë, por nuk mund të rrezikojmë”– deklaron ajo e revoltuar. Sakaq thotë se një tjetër problem është se ende nuk e dinë nëse do të paguhen për orët shtesë. “Punojmë nga mëngjesi deri në darkë dhe ende nuk e dimë nëse do paguhemi për orët që kalojnë 6-orarshin. Janë mbi 8 orë mësim, ku është parë dhe dëgjuar që të veprohet në këtë mënyrë”– përfundoi Demiri.

Ardi Stefa, ekspert: Do të jetë një vit i humbur, të merren masa për ndryshim.

Eksperti i arsimit Ardi Stefa, thotë se rikthimi në shkollë nuk ka patur një plan. Sipas tij më shumë se kurrë Ministria e Arsimit duhet të konsultohej me të gjithë grupet i interesit, në mënyrë që të jepej si zgjidhje alternativa e duhur. Sipas tij udhëzimi i autoriteteve me 3 skenarë nuk është zgjidhje.

“Jemi në javën e dytë të mësimit dhe problematikat kanë nisur të shfaqen. Kemi nxënës të infektuar, mësues dhe këta të fundit janë duke u torturuar me orare të tejzgjatura. Mësuesit paraqiten në punë në orën 07.30 dhe në rast se shkollat do të zhvillojnë mësimin me tre e katër turne këta mësues janë në rastin më të mirë deri në orën 17.00, ndërsa më rastin më të keq deri në orën 20.00. Këta mësues nuk kanë familje, fëmijë në moshë shkollore, nuk kanë nevojë të përgatiten për ditën pasardhëse? Shumica dërrmuese e shkollave (të gjitha shkollat publike) bëjnë orë të shkurtuara. Orët shtesë do të merren përsipër nga mësuesit ekzistues, gjë që do të ulë ndjeshëm cilësinë e mësimdhënies. E njëjta situatë ndoshta do të ndodhë ose po ndodh edhe në shumë shkolla jopublike, të cilat do të gjejnë rastin për të përfituar në kurriz të mësuesve, duke i ngarkuar më shumë me ngarkesë mësimore dhe, rrjedhimisht, duke i paguar më pak”- nënvizon eksperti.

Sipas tij, ky vit mësimor do të jetë i humbur. “E them me bindje të plotë se për shumicën e nxënësve shqiptarë, ky vit i organizuar në turne, me mësues të mbilodhur ose të “kategorisë së dytë”, me orë të shkurtuara dhe mësues të papaguar, do të jetë një vit i humbur nga pikëpamja arsimore”.

Ardi Stefa, ekspert arsimi

Kreu i Sindikatës: Të shtohen mësuesit, në shkolla mungon uji dhe termometri

Kreu i Sindikatës së Arsimit Parauniversitar, Nevrus Kaptelli shprehet i shqetësuar për të gjithë situatën. Ai thotë se i kanë bërë kërkesë Ministrisë së Arsimit për shtimin e personelit arsimor dhe vazhdojnë ende të jenë në pritje. “Situata është alarmante, jo shqetësuese. Mësuesit nuk mund të punojnë më shumë se 6 orë, pasi i duhet mbi 2 orë në ditë të përgatitën për ditën e ardhshme. Në këtë mënyrë, atyre nuk u mbet kohë për asgjë. Nuk është problem pagesa ekstra, sesa fakti që ata nuk janë produktivë nëse vazhdojnë të punojnë me orë shtesë. Deri më tani, nuk po zbatohet kontrata që ata kanë nënshkruar. Ministria është në shkelje ligjore. Kërkesa jonë është punësim i personelit, me kontratë të rregullt, që të arrijnë të zëvendësojnë njëri-tjetrin”- bën thirrje ai. Në fjalën e tij nuk lë pa përmendur edhe pamundësinë e zbatimit të protokollit. Kreu i Sindikatës denoncon se shumë shkolla ende nuk janë pajisur me mjetet e domosdoshme si termometër, detergjent apo dezinfektante.

 “Si mund të mbrohen fëmijët dhe mësuesit kur në shumë shkolla jo vetëm në zona rurale, por edhe në qytete të mëdha, si Durrësi, Vlora, nuk kanë uji për të larë duart. Ministria duhet të marrë masa të menjëhershme sepse rrezikohet shëndeti i fëmijëve dhe arsimtarëve”– bën thirrje ai.

   Nevrus Kaptelli, Kreu i SPA-së Shqipëri