Bordi i Transparencës vendos të rrisë sërish çmimet e karburanteve. Prej ditës së djeshme, një litër naftë kushton 12 lekë më tepër, ndërsa me lekë për litër është rritur edhe çmimi i benzinës.
Me tarifat e aplikuara, Shqipëria vijon të jetë në krye të listës në raport me vendet e rajonit, ku çmimet për litër të karburanteve nuk kanë kaluar pragun 2 dollarë as atëherë kur në bursë çmimet u dyfishuan.
ÇMIMET E REJA
Konkretisht, një litër naftë, nga 227 lekë që ishte, është bërë 239 lekë, ndërsa me 4 lekë është rritur edhe çmimi i benzinës, nga 221 lekë është bërë 245 lekë. I pandryshuar ka mbetur çmimi i gazit. “Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 239 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 227 lekë/ litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 205 lekë/ litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 194 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 78 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/litër për automjetet. Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 23 gusht, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes”. Qeveria vijon të justifikojë këtë rritje duke sjellë në vëmendje çmimet e naftës së përpunuar, që shërbejnë si referuese për përcaktimin e çmimit final bashkë me kursin e këmbimit valutor si edhe taksat që aplikohen. Por, në çdo rast, pra, edhe përmes bordit, kompanitë e tregtimit nuk janë lënë pa gjë, pasi iu është caktuar një marzh fitimi. “Bordi sqaron opinionin publik se zbaton me kujdesin e duhur aktin normativ në fuqi, duke synuar mbrojtjen e konsumatorëve në këto kushte të krizës botërore dhe paqëndrueshmërisë së çmimeve të nënprodukteve të naftës. Në këtë kuadër Bordi thekson se: Në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është rritur 919 $/ ton, dhe çmimi i Gazoilit/Diesel është rritur 1108 $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar rritje 117.62. Kursi i këmbimit të doganës 114.46. Për gazin e lëngshëm, referuar të dhënave të faturës tregtare (Commercial Invoice) të shitjes së produktit, nuk kemi ndryshim të çmimit nga ai i mbledhjes date 17.08.2022.
Kursi i këmbimit LEK/USD, i cili impakton gjithashtu çmimin përfundimtar të karburanteve, është rritur me +1,62 lekë, krahasuar me kursin zyrtar të përdorur në mbledhjen e fundit të Bordit.
Pra, pavarësisht se çmimet në bursë kanë pasur tendencë rritje, në javën e fundit, Bordi nuk ka marrë vendim të menjëhershëm për rritjen e çmimit të nënprodukteve”, thuhet në njoftimin zyrtar.
QËNDRIMI
Opozita në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar shkrirjen e Bordit të Transparencës me argumentin se nuk mbron interesin qytetar. Më herët, edhe Fondi Monetar ka kërkuar nga qeveria që të zëvendësojë bordet, duke ofruar mbështetje direkte familjet në nevojë, të cilat prej fillimit të vitit po përballen me valën në rritje të çmimeve. “Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve”, thuhej në raportin e fundmajit të FMN-së. Por pavarësisht akuzave të opozitës dhe kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, ministrja hoqi çdo mundësi për shkrirjen e bordeve. “Ju ftoj të analizoni ecurinë e çmimeve të bursës për produktet që janë nën ombrellën e bordit dhe jo të bordit për naftën bruto që ka një lëvizje të ndryshme nga nafta e rafinuar. Bordi për çmimet e naftës së rafinuar, benzinës e gazit e në asnjë rast bordi nuk është mbledhur ne kundërshtim me rritjen apo uljen e këtyre çmimeve.
Me pasqyrimin e një uljeje të çmimeve në bursat ndërkombëtare për produktin që tregtohet në vend, bordi mblidhet menjëherë, ndërkohë që mundohet ta shtyjë mbledhjen kur kemi raste të rritjes së çmimeve në bursë”, tha Ibrahimaj në konferencën më gazetarët, të zhvilluar dy ditë më parë në ambientet e Ministrisë.