Ish-ministri i Drejtësisë, aktualisht kandidat i PS-së Nasip Naço ka zhvilluar sot një takim elektoral krah kryeministrit Edi Rama në Skrapar.
Naço tha se u largua nga Lëvizja Socialiste për Integrim për shkak të problemeve që kishte me lidershipin, pasi siç tha ai, LSI bën eksperimente politike të dështuara, si sot që duan të bëjnë Lulzim Bashën kryeministër.
Pjesë nga deklarata e Nasip Naços:
Nga Skrapari do të fillojë fitorja e PS. Edi Ramën e duan në Skrapar. Jam me fat dhe e falenderoj Ramën që më ka hapur derën. Dikush mund të pyesë, deri dje ishe deputet i LSI, edhe unë s’kam për ta goditur me gurë LSI. Unë kam patur probleme me lidershipin e LSI, vetë na thoshin Lul Basha të gënjen edhe për orën, por sot duan ta bëjnë kryeministër. Një parti që vitet e fundit bënte vetëm eksperimente politike, të dështuara. Dy fjalë dua t’ua them, pse iku? Nuk pranuan të vazhdonin koalicionin me PS në 2017. Pra një parti me 20 deputetë që nuk ishte partnere por vasale e PD-së, për ta bërë kryeministër. Nuk mund të vazhdoja më me eksperimente të dështuara. Falenderoj zotin Rama për reformën në drejtësi. Nuk bëj ndonjë premtim të madh, i vetmi premtim është që do të jem në krah të zotit Rama për reformën në drejtësi. Kam një borxh për Partinë Socialiste që i hoqa vota nga 2009 në 2017, sot dua t’ua kthej këtë borxh.