Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dhënë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të legjendës së KF Skënderbeut të Korçës, Milutin Kërçiç. Meta thotë se Kërçiç ishte idhulli i shumë fëmijëve korçarë të viteve ’70-’80. Presidenti e vlerëson ish-futbollistin për korrektësinë në fushë, virtuoz me topin dhe i dalluar për teknikën e rrallë.
Ndër të tjera Presidenti shpreh hidhërimin për lajmin e sotëm dhe përcjell ngushëllimet për familjarët, kolegët e sportdashësit.
STATUSI NGA ILIR META
Mësova me hidhërim lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej legjendave të “Skënderbeut” dhe futbollit shqiptar, Milutin Kërçiç, idhullin e shumë fëmijëve korçarë të viteve ’70-’80, të vlerësuar për talentin e tij të jashtëzakonshëm nga të gjithë sportdashësit dhe ne, që patëm fatin ta shihnim në fushën e blertë.
Model i lojtarit korrekt në fushë, virtuoz me topin dhe i dalluar për teknikën e rrallë, Milutin Kërçiç do kujtohet gjithmonë me respekt për kontributin e veçantë të dhënë për zhvillimin cilësor të futbollit shqiptar, shembull frymëzues për vlerat e veçanta sportive dhe qytetare, që përfaqësonte.
Ngushëllime të sinqerta familjarëve, kolegëve dhe të gjithëve sportdashësve për këtë humbje të pazëvendësueshme.