Nderon policët e rënë në detyrë, mesazhi i Lleshajt: Detyra, nderi, atdheu ju diktojnë se çfarë duhet të jeni

0
33
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përshëndeti sot trupat e policisë gjatë një ceremonie të mbajtur para memorialit të policëve të rënë në krye të detyrës, që ndodhet pranë ndërtesës së Ministrisë së Brendshme, me rastin e ceremonisë së organizuar në nisje të detyrës si ministër.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm zyrtarët e lartë të Ministrisë dhe Drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit.

Në fillim të ceremonisë ministri Lleshaj vuri një kurorë me lule pranë memorialit të policëve të rënë në detyrë.

Ai tha në fjalën e rastit se zgjodhi këtë rrugë për të hyrë në zyrë si ministër i Brendshëm, me bindjen e plotë se nderimi i atyre punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, është një detyrim i përhershëm për këdo, që merr përsipër të shërbejë apo të drejtojë në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Shtetit.

“Detyra, nderi, atdheu: këto tri fjalë të shenjta në mënyrë solemne, ju diktojnë se çfarë duhet të jeni, çfarë mund të jeni dhe çfarë do të jeni. Ato janë pika juaj e referencës për të ndërtuar kurajë, atëherë kur ajo duket se po ju braktis; për të rifituar besim, atëherë kur duket se pak gjë ka mbetur për t’u besuar; për të krijuar shpresë atëherë kur ajo ka humbur, Të pabesët do t’ju thonë se këto janë vetëm fjalë, vetëm slogane, vetëm fraza boshe. Të gjithë pedantët, demagogët, cinikët, hipokritët, ngatërrestarët… do të përpiqen t’i zhvlerësojnë ato deri në skajin e talljes. Por ato ju mësojnë si të jeni krenarë dhe të papërkulur pas një humbjeje të ndershme, por të përulur dhe fisnikë pas një suksesi; si të mos i zëvendësoni veprat nga fjalët; si të mos kërkoni shtegun e lehtë, por të përballoni stresin dhe të rendni drejt vështirësisë e sfidës”, u shpreh Lleshaj.

Ministri i Brendshëm shtoi ndër të tjera se një polici e bazuar në vlera të përjetshme, e gatshme për të shërbyer dhe jo vetëm për të ndëshkuar, e fortë, e motivuar dhe e ditur për të fituar e jo për t’u justifikuar, e vendosur dhe e ndershme për të mbajtur vetëm anën e ligjit, e hijshme, moderne, shqiptare dhe europiume, “kjo është Policia që duam dhe do të kemi”.

Zjarr Tv Ad