Shpërndarja e fletushkave që fyejnë regjimin dhe liderin e Koresë së Veriut, Kim Xhong-Un, ka tensionuar raportet me Korenë Jugore. Pheniani ka njoftuar ndërprerjen e linjave të komunikimit për shkak të mesazheve që refugjatët politikë lëshojnë nga kufiri prej fundmuajit të kaluar.
Koreja e Veriut ka nisur të ndërpresë komunikimet ushtarake dhe politike me Korenë Jugore, pas një përplasjeje mbi traktet kundër Phenianit.
Media shtetërore koreanoveriore akuzuan Seulin se ka nxitur refugjatët politikë të arratisur nga Veriu drejt Jugut për të shkruar fletushka të cilat fyejnë udhëheqësin, Kim Xhong-un, dhe cenojnë dinjitetin e lidershipit të vendit.
Me mijëra broshura janë lëshuar prej datës 31 maj nga kufiri me anë të tullumbaceve, me mbishkrimin “të përndjekurit e Veriut”.
Prej ditësh Pheniani kërcënoi se do mbyllte një nga zyrat ndërlidhëse mes dy Koreve.
Mëngjesin e së martës, raportohet se zyrtarët e Veriut nuk iu përgjigjën telefonatave të zakonshme, as thirrjeve në linjat e veçanta ushtarake dhe presidenciale që vinin nga Jugu.
Pas tubimit të fundjavës, studentët dhe të rinjtë koreanoveriorë u organizuan sërish të martën për të denoncuar autoritetet e Koresë Jugore.
“Nuk ka më kafshë në botë sesa ata që tradhtuan sistemin e madhërishëm socialist dhe cenuan dinjitetin tonë suprem. Si student i epokës së artë të Kim Xhong-Unit, dua të hakmerrem sakaq ndaj të gjitha forcave armike, përfshirë edhe autoritetet e Koresë së Jugut,” shprehet një student i Phenianit.
Kërcënimet nga Koreja e Veriut vijnë pas 3 samiteve të përbashkëta mes udhëheqësit Kim Xhong-un dhe presidentit kroeanojugor Mun Xhae-in që nga viti 2018 për të përmirësuar marrëdhëniet fqinjësore.
Pheniani ka deklaruar se nëse nuk ndalet dërgimi i trakteve nga aktivistët, vendi do zhbëjë edhe marrëveshjen ushtarake për paqe të nënshkruar mes palëve.
Nga kryeqyteti koreanojugor është thënë se po bëhet përpjekje për të ndalur shpërndarjen e mesazheve nga ish-refugjatët politikë të Veriut, që ndër të tjera po rritin tensionet me fqinjin e vet.