Ndërtimet pa leje, eksperti i ekonomisë: Do t’i parablejnë po me para publike! Rama pazar me oligarkët

0
127
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

VALENTINA MADANI/ Fatos Çoçoli, ekspert për çështjet ekonomike, sheh me shqetësim mënyrën se si po zbatohet VKM e qeverisë për ndërtimet pa leje, duke sinjalizuar se do të jenë “të paprekshmit” ata që do të parablejnë po me para publike.

Çoçoli thotë për gazetën “Panorama” se ligji parashikon gjobë, konfiskim, shembje, por edhe ndjekje penale dhe hedh dyshime se këto konfiskime do të përdoren përtej destinacioneve të përdorimit sipas ligjit. Nisur nga ky rrezik, ai apelon që të denoncohen me forcë shkelje flagrante të ligjit. Teksa denoncon mënyrën e sjelljes së qeverisë ndaj qytetarëve, të cilët u burgosën për një faturë dritash, eksperti i ekonomisë shprehet se sërish janë viktimë ata ndërkohë që qeveria bën pazare me oligarkët para zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Z.Çoçoli, gjatë qeverisjes 10-vjeçare të Edi Ramës, qytetarë të thjeshtë u bënë viktima pas dënimeve për ndërtimin e një avllie apo për mospagim të energjisë elektrike, ndërkohë që oligarkët janë pasuruar edhe më shumë me para publike dhe koncesione. Pse pikërisht tani kryeministri Rama flet me vendim qeverie për pasuritë që do t’iu merren të pasurve e do t’i jepen popullit?

Qytetari i thjeshtë ndihet viktimë, ngaqë të tjerë qytetarë “jo të thjeshtë”, sipërmarrës me pozita përcaktuese në një treg (që ne i quajmë oligarkë), mund të shkelin ligjin dhe të mos dënohen. Raste të tilla qytetari i thjeshtë i sheh kudo, përfliten në çdo kafene ku pi kafe me shokë dhe miq. Prandaj i dhëmb dhe ndihet keq, kur dënohet nga ligji, për një avlli pa leje apo arrestohet për mospagim të energjisë elektrike, sikurse me të drejtë përmendni ju në pyetjen tuaj. Sigurisht që qytetari nuk duhet të ndërtojë pa leje dhe duhet të jetë në rregull me detyrimet ndaj shtetit, por masa e dënimit të tij dhe vetë fakti që është dënuar, i duket e padrejtë, kur sheh që të tjerë qytetarë-sipërmarrës, bëjnë zullume shumë më të mëdha se ai dhe nuk dënohen.

Pra, kur qytetari sheh që ka qytetarë-sipërmarrës, të cilët janë “më të barabartë” përpara ligjit sesa të tjerët. Dhe që kanë ndërtuar objekte përtej sipërfaqes së autorizuar nga leja e ndërtimit që kanë marrë, shtesa të tëra katesh, apo shtesa anësore, por nuk u ka hyrë një gjemb në këmbë. Është kjo paprekshmëri e “më të barabartëve” mes të barabartëve përpara ligjit, që e bën qytetarin e thjeshtë të revoltohet, jo vetëm atë që ndëshkohet nga një ndërtim i vogël pa leje brenda shtëpisë së tij apo që nuk paguan fatura shtetërore, por edhe ata qytetarë të tjerë të thjeshtë (që janë shumica), që nuk kanë kryer shkelje dhe janë në rregull me ligjet e shtetit. Ja përse kemi një ndjenjë të shtuar e të gjerë të padrejtësisë shoqërore mes nesh, që venit shpresën se një ditë do të arrijmë të ndërtojmë një shtet ligjor. Kjo ndjenjë nuk është se nuk ka qenë përpara dhjetë vjetësh dhe përpara tri qeverisjeve të fundit të socialistëve, por në këto dhjetë vjet është shtuar dukshëm, pikërisht pse “më të barabartët” përpara ligjit janë fuqizuar shumë, shumë më tepër se dhjetë vjet më parë.

Si ka ndodhur kjo…?

Nuk do të na mjaftonte një natë e tërë dimri, duke përmendur kontratat koncesionare dhe me partneritet publikprivat, të kontraktuara keq, ku shteti ka marrë të gjitha rreziqet përsipër dhe ku kostot i kanë tejkaluar shumë fort përfitimet. Është me të vërtetë histori shumë e gjatë. Kur qeveria të arrijë të dënojë me institucionet e saj “më të barabartët” përpara ligjit, për shkeljet që kanë kryer, dhe që, në raport me avllinë pa leje apo mospagesat e energjisë elektrike të qytetarit, dëmtojnë me dhjetëra, qindra apo mijëra herë më shumë buxhetin e shtetit, buxhetin e të gjithëve, vetëm atëherë mund të shohim ringjalljen e shpresës për bërjen e shtetit ligjor te ne dhe uljen e ndjesisë së padrejtësisë së madhe shoqërore në vendin tonë. Zbatimi i ligjit nr. 119/ 2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar”, i miratuar nga Kuvendi më datën 7 tetor 2020 dhe veprues dy javë më vonë, në fund të tetorit 2020 (pas miratimit në Fletoren Zyrtare), nuk ka sjellë deri tani raste të jashtëzakonshme dhe flagrante të konfiskimeve dhe shembjeve të dukshme të ndërtimeve dhe shtesave pa leje, edhe pse muajin tjetër mbushen dy vjet nga nxjerrja e ligjit.

Atëherë, pse po nxiton tani qeveria…?

Nuk e di nëse qeveria po vepron tani, ngaqë e ka parë qartazi ndjesinë e përhapur të revoltës për këtë padrejtësi të madhe shoqërore te shumë njerëz të thjeshtë dhe synon të marrë masa përpara zgjedhjeve vendore të vitit tjetër. Nëse është kështu, më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Dhe kjo dëshmohet lehtë, nëse qeveria, me veprimet e saj, vërtet konfiskon dhe shemb shtesat e kateve dhe ato anësore të lejeve të dhëna “më të barabartëve” mes të barabartëve përpara ligjit, pra, oligarkëve. Të shohim.

Kush janë përfituesit nga vendimi i qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje?

Hapi i parë që parashikon ligji nr. 119/2020 (https:// www.parlament.al/Files/ Akte/202010 12153 758ligj% 20nr.%20119, %20dt.%207.10.2020.pdf), është shembja e shtesave pa leje, në rastet kur konstatohen në fazën e ndërtimit. Në rastet e shtesave anësore apo shtesë kati, nëse nuk zënë më shumë se 2% të sipërfaqes së objektit, sërish ligji thotë se do të shemben. Lind natyrshëm pyetja: sa herë ka ndodhur deri tani kjo gjë, shembjet? Janë me qindra, në mos mijëra, ndërtimet me shtesa pa leje, gjatë këtyre dy viteve të fundit dhe jo vetëm në zonat bregdetare, por të shpërndara si kërpudha kudo, në mes të qyteteve tona. Ligji parashikon jo vetëm shembjen, por edhe konfiskimin e ndërtimeve.

Në rastet kur shtesa anësore apo shtesat e katit, që përbëjë jo më shumë se 2% të sipërfaqes së objektit dhe kur shembja e tyre cenon qëndrueshmërinë e tij, atëherë ato kalojnë në favor të njësive të qeverisjes vendore apo programeve të strehimit për të pastrehët, me vendim të Këshillit të Ministrave. Kur leja e dhënë e ndërtimit shkelet në mbi 10% të sipërfaqes totale të objektit dhe nuk cenon qëndrueshmërinë, atëherë konfiskohet e gjithë godina, në favor të njësive të qeverisjes vendore apo programeve të strehimit për të pastrehët (Neni 7 i ligjit, “konfiskim për interes publik me propozim të IKMT-së ose IMT-së dhe vendim të KKT-së, të të gjithë objektit kur ndërtimi pa leje rezulton si shtesë kati dhe si shtesë volumi anësor nëse tejkalon masën 10% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi tokë, kur ndërtesa është e qëndrueshme dhe është në përputhje me planet e përgjithshme, si edhe me planet e detajuara vendore. Rregullat dhe procedurat përkatëse për konfiskimin për interes publik miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Për këto VKM flet tani kreu i qeverisë.

Këta ndërtues që përfituan favore nga qeveria, a besoni se do ta kenë problem që t’i parablejnë po me para publike ato çfarë kanë ndërtuar pa leje…?

Për ndërtuesit që janë bërë tashmë oligarkë (pra, kompanitë e tyre private kanë fituar pozicion mbizotërues dhe përcaktues në tregun e ndërtimit në vend), sigurisht që nuk përbën problem parablerja me çmime të tregut e shtesave pa leje. Por do të jetë biznes i vështirë për ta, nëse ligji nr. 119/2020 zbatohet si duhet nga qeveria. Kjo, për arsye se ligji parashikon 35 mijë lekë gjobë për çdo metër katror shtesë pa leje, përveç parablerjes me çmimin e tregut të çdo metri katror shtesë pa leje. Në rastet e ndërtimeve pa leje brenda zonave të zhvillimeve të kontrolluara, zonave me përparësi turizmin, zonave të mbrojtura dhe pranë monumenteve të kulturës, ligji i mësipërm parashikon pesë milionë lekë të reja gjobë, ndërkohë që ligji aplikon edhe dy milionë lekë të reja gjobe, në rast se ndërtimi fillon vetëm me lejen e njësive vendore, pa marrë më parë autorizimin nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ndërsa ju keni të drejtë që shpreheni se po i “parablejnë po me para publike”, nëse i referoheni situatave kur kanë qenë fondet publike, ato që një pjesë të këtyre ndërtuesve i bënë të rëndësishëm në tregun e ndërtimit, me kontrata jo shumë transparente dhe ku risku i ndërtimit i kalonte pothuajse tërësisht Buxhetit të Shtetit. Janë një pjesë syresh, jo të gjithë, por është e vërtetë që ka të tillë.

Pas konfiskimit të këtyre ndërtimeve pa leje, a besoni se ato vërtet do të përdoren nga shteti apo në ndihmë të komunitetit…?

Kështu e thotë ligji nr. 119/ 2020 dhe neni 7 i tij, që përmenda në përgjigjen e pyetjes suaj të dytë. Nëse qeveria synon të shkelë ligjin që ka përgatitur po vetë dy vjet më parë dhe ndërtimet e konfiskuara nuk i përdor për të strehuar të pastrehët e bashkive përkatëse apo për mjedise për institucione shtetërore, do të shohim në VKM-të që synon të miratojë. Nëse do të ketë raste kur këto konfiskime do të përdoren përtej destinacioneve të përdorimit sipas ligjit, duhet të denoncohen me forcë, se përbëjnë shkelje flagrante të ligjit të mësipërm. Rrezik ka, sepse kuptimi i fjalës “konfiskim për interes publik”, që përdor ligji nr. 119/2020, është shumë i gjerë.

Çfarë fshihet pas këtij vendimi? A u krijohet mundësia bizneseve, pushtetarëve, krimit të organizuar që të legalizojnë paratë e krimit përmes pagesës së disa qindarkave për buxhetin dhe për pasurimin e enturazhit qeverisës e blerjes së zgjedhjeve të ardhshme…?

Ndryshe nga sa ka qenë deri tani me biznesin e ndërtimit, do të jetë e vështirë të pastrohen para të paligjshme me “biznesin” e parablerjes së shtesës pa leje, por jo e pamundur.

A dështuan institucionet që kanë lejuar ndërtimin e pallateve pa leje?

Sigurisht që të gjitha institucionet e përfshira në procesin e ndërtimeve në territorin e Republikës, të rregulluar nga Ligji nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, kanë dështuar plotësisht, në rastet flagrante të lejimit të ndërtimit të pallateve të tëra pa leje, apo me dhjetëra e qindra pallateve dhe qendrave të biznesit, me shtesa katesh e shtesa anësore pa leje.

Përgjegjësia më e madhe bie mbi institucionet e përcaktuara nga ligji, me detyra vëzhguese dhe inspektuese, si Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit. Në rast se ka pasur raste kur këto institucione janë vënë në pamundësi të kryejnë detyrën e tyre, për shkak të ndërhyrjeve politike në mbrojtje të kompanive ndërtuese në shkelje të ligjit, ato duhet të evidentohen dhe të denoncohen fort publikisht. Sipas vëzhgimit të gazetarëve investigues të BIRN, numri i çështjeve penale me të akuzuar për ndërtim të paligjshëm u rrit me 25 për qind nga 138 raste në vitin 2019, në 186 raste në vitin 2020 dhe vijoi rritjen në 191 raste edhe në vitin 2021. Kjo dëshmon për punën e pamjaftueshme të institucioneve shtetërore mbikëqyrëse dhe inspektuese, por përgjegjësia shkon shumë më lart, në rastet kur inspektorëve të inspektorateve përgjegjës u vihet “silenciator” në denoncimet që bëjnë, ose kompleksohen të mos denoncojnë fare.

Zjarr Tv Ad