Ditën e sotme, Ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka marrë pjesë në ceremoninë e dhurimit të pajisjeve nga USAID, për autoritetet doganore në Qafë Thanë.
Prej andej, Kim tha se ndihma që Shtetet e Bashkuara po japin, po e bën Ballkanin Perëndimor një vend më të sigurt. Ajo gjithashtu, u shpreh se SHBA e mbështet integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
“Jam këtu për të theksuar se si ndihma e SHBA po e bën Ballkanin Perëndimor më të sigurt, më demokratik dhe më miqësor ndaj biznesit. Jo shumë kohë më parë kufijtë kanë qenë si mure, sidomos në këtë rajon, nën pretekstin e sigurisë kombëtare duke ndarë njerëzit, duke penguar tregtinë, besimin e ndërsjelltë.
Ndërsa sot qëndrojmë në një kufi që është jo vetëm më i sigurt, por synon të sjellë njerëzit më pranë dhe të cojë përpara integrimin paqen dhe begatinë. Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë në prag të anëtarësimit në BE dhe ShBA e mbështet këtë qëllim.
Pajisjet e blera nga USAID, do të sigurojnë që autoritetet doganore të arrijnë standarde më të larta në procedurat kufitare, lehtësimin e mjedisit për biznesin dhe kontrolleve për sigurinë,” u shpreh ambasadorja Yuri Kim.