Ndihmës sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Karen Donfried, ka folur për situatën e krijuar në veri të Kosovës.
Donfried tha se SHBA po shpenzon shumë kohë dhe vëmendje në Ballkanin Perëndimor dhe ka theksuar se bie dakord me BE-në që zhvillimet në veri të Kosovës janë arsye për shqetësim.
Ajo shtoi se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës s’është zgjidhje si dhe theksoi se një situatë e tillë ka potencial për përshkallëzim të mëtejshëm në terren.
“Ne po shpenzojmë shumë kohë dhe vëmendje në Ballkanin Perëndimor. SHBA-ja pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit janë arsye për shqetësim . Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për problemin aktual dhe ka potencial për eskalim të mëtejshëm në terren”, ka thënë Donfried në një konferencë për media.
Ajo bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të ndërmarrin hapa që kontribuojnë për qetësinë e rajonit.
“Të gjitha palët duhet të marrin hapa për qetësi dhe për siguri”, deklaroi ajo.
“Kosova dhe Serbia duhet të implementojnë marrëveshjet që tashmë kanë nënshkruar në kuadër të dialogut, përfshirë fillimin e bisedimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë ndër të tjera Donfried.