Ndryshon procedura e tërheqjes së pensionit

0
119
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pas informatizimit të sistemit të pagesave, të moshuarit në mbarë vendin do të mund të tërheqin pensionin e pleqërisë në çdo arkë të Postës Shqiptare, pa qenë nevoja e transferimit të gjendjes civile. Lajmi është bërë me dije ditën e djeshme nga kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, i cili thekson se është bërë i mundur lehtësimi i procedurave, pavarësisht vendit ku banon i moshuari.

“Tashmë pensionistët mund ta tërheqin pensionin e pleqërisë në çdo arkë paguese të Postës Shqiptare sh.a në çdo qark të vendit, pa pasur nevojë për të transferuar edhe Gjendjen Civile. Si pasojë e përfundimit të procesit të ndërtimit të bazës së të dhënave elektronike dhe unike të pensioneve, informatizimin e sistemit të pagesave dhe të procesit të kontrollit të tyre, është bërë e mundur lehtësimi i procedurave të transferimit të qendrës paguese të pensionit, pavarësisht nga vendbanimi, sipas regjistrit të gjendjes civile”,-thotë Hado. Ky i fundit shton se zbatimi i kësaj procedure të thjeshtuar të transferimit të qendrës së pagesës shkurton ndjeshëm kohën, si dhe vetëngarkon strukturat e ISSH-së për të kryer procedurat e transferimit dhe njoftimin e qytetarit.

Analiza e 2018-ës
Në ambientet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, nën drejtimin e ministres, Anila Denaj, njëkohësisht dhe kryetare e Këshillit Administrativ të ISSH, u zhvillua Analiza Vjetore e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për vitin 2018. Denaj, ndër të tjera, theksoi punën që duhet bërë në drejtim të mbledhjes së kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, duke vënë theksin në faktin që mbledhja e të dy llojeve të kontributeve duhet të ecë në mënyrë paralele. Drejtori i Përgjithshëm i ISSH, Astrit Hado, gjatë fjalës së tij ka bërë publike disa nga arritjet dhe sfidat me të cilat përballet skema e sigurimeve shoqërore, si një fushë me efekte shumë të gjera sociale, ku preket thuajse çdo familje shqiptare.

Ai theksoi se gjatë vitit 2018, për realizimin e misionit të ISSH-së në fushën e sigurimeve shoqërore dhe në veçanti në fushën e pensioneve, vëmendja kryesore është fokusuar në disa drejtime kryesore si: vazhdimi i punës për implementimin e skemës së reformuar të pensioneve; zbatimi i politikave të qeverisë për rritjen e të ardhurave të pensionistëve, nëpërmjet indeksimit të përfitimeve të caktuara, indeksimit të pagave referuese për përfitimet e reja të vitit e në vazhdim, si dhe nëpërmjet zbatimit të një praktike tashmë të konsoliduar, që është bonusi (shpërblimi) vjetor i pensionistëve.

Fusha të tjera ku ISSH ka punuar janë: përmirësimi i administrimit të buxhetit të ISSH-së dhe i cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve; vazhdimi i punës për krijimin e një baze të plotë, të informatizuar të të dhënave, siç janë periudhat kontributive të personave, zbatimi i një sistemi të automatizuar të autorizimit dhe pagesave online. “Përmes punës të të gjitha strukturave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në shkallë vendi, si dhe drejtimit dhe mbështetjes nga Këshilli Administrativ, evidentojmë: realizimin e të gjitha procedurave administrative të indeksimit të pensioneve, si dhe përfitimeve të tjera për mbi 623 mijë përfitues, duke filluar nga data 01.07.2018, në masën 2.8%, si dhe kryerjen e pagesave në favor të pensionistëve, me një efekt financiar prej mbi 1,570 milionë lekë.

Brenda një kohe rekord u kryen të gjitha procedurat administrative të dhënies së shpërblimeve për mbi 650 mijë përfitues, nga sistemi i përgjithshëm i sigurimeve shoqërore, me një efekt financiar prej rreth 3,276 milionë lekë. U zbatuan standarde të reja në drejtim të përmirësimit të shërbimit ndaj pensionistëve, sidomos në fushën e transparencës së përfitimeve të caktuara. Nga 36,796 pensione të reja të caktuara në vitin 2018, 35,031 ose 95.1% janë lidhur brenda afateve ligjore, me një kohë mesatare 24 ditë. Gjatë vitit 2018, i cili përkon edhe me përfundimin e certifikimit të sistemit elektronik të bazës së të dhënave të pensioneve, si dhe të kontrollit të dosjeve të viteve të mëparshme, janë bërë gjithsej 484 kallëzime: 159 çështje janë përfunduar dhe 295 çështje janë në shqyrtim. Përgjithësisht kemi të bëjmë me falsifikim të dokumenteve zyrtare për periudha sigurimi para vitit 1992, të kryera në ndërmarrje problematike, të djegura etj”,-tha Hado.

 

Zjarr Tv Ad