Referendumi është një mjet i demokracisë direkte që shërben për të transferuar fuqinë vendimmarrëse nga partitë politike tek qytetarët. Një e drejtë që buron nga Kushtetuta e cila parashikon ushtrimin e sovranitetit nga populli përmes shprehjes me votë në lidhje me çështje të interesit publik. Por pavarësisht se ligji themeltar i shtetit parashikon mundësinë e referendumit përmes mbledhjes së 50 mijë firmave sërish nismat kanë munguar.
Për herë të fundit shqiptarët votuan në një referendum për miratimin e Kushtetutës në vitin 1998 ndërkohë që deri më sot, në vendin tonë nuk janë zhvilluar referendume lokale. Sipas juristit Adriatik Lapaj kjo ndodh për shkak të mungesës së një ligji specifik.
“Kapitulli i kodit të 2003, de facto është i pazbatueshëm, pra sot ne vazhdojmë të jemi ndoshta një nga vendet e vetme në kontinent që nuk kemi mundësi që qytetarët të shprehen. Kjo është një mangësi shumë e madhe e demokracisë sonë dhe kjo është përkthyer edhe në mungesë të efiçencës së qytetareve, të reagimit qytetar”.
Një detyrë që duhet të ishte realizuar 24 vite më parë, shpjegon drejtori ekzekutiv i Infochip Albania Gerti Shella, i cili lënien në sirtarët e Kuvendit të nismave të depozituara e sheh si një shans të humbur për demokracinë.
“Do të duhej që Kuvendi që 3 vite pas miratimit të Kushtetutës të plotësonte këtë detyrim që ia përcakton Kushtetuta, pra bërjen e ligjit për referendumet i cili kërkon një shumicë të cilësuar. 24 vite më pas kjo ngelet ende një detyrë e munguar. Mos bërja e ligjit për referendumet pamundëson vetë referendumin si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor. Ky shans i humbur është shans i humbur për të rikuperuar demokracinë që ka marrë goditje serioze”, thotë Shella.
Mungesa e vullnetit nga ana e partive politike për të lënë në duart e qytetarëve instrumentin që do të shërbente për kontrollin ose balancën e pushtetit, sipas ekspertëve të fushës është edhe arsyeja kryesore përse Shqipëria është një nga vendet e pakta që nuk ka një mekanizëm specifik që lejon ushtrimin e demokracisë direkte. Mes tipareve që e dallojnë nga normaliteti i një vendi demokratik, Shqipëria rendit edhe mbajtjen aktive të dy kodeve zgjedhore. Përveç kodit aktual mbi të cilin bazohen proceset zgjedhore parlamentare apo vendore, në fuqi është edhe ajo pjesë e kodit të vitit 2003, që i referohet zhvillimit të referendumeve.
Nevojën e një ligji për referendumet e thekson edhe sekretari për çështje ligjore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, i cili i bashkohet mendimit të ekspertëve kur pranon se kapitulli i mbetur në fuqi nga kodi zgjedhor i vitit 2003 pamundëson mbajtjen e referendumit.
“Ka shumë që mendojnë se korniza ligjore e 2003, pra ajo pjesë e mbetur e kodit zgjedhor është jo efikase dhe është më shumë një kornizë ligjore ose një set rregullash se si mos të bëhen referendumet se sa si të bëhen, pra nuk i shërben më qëllimit për të cilin janë menduar nga legjislatori. Jemi të vetëdijshëm që aktualiteti i zhvillimeve shoqërore ka sjellë çështje të mprehta të cilat kanë kërkuar zgjidhje edhe me referendum”, deklaron Kaso.
Gishtin e përgjegjësisë Kaso e drejton nga kundërshtari politik dhe nxitimi me të cilin janë disktuat reformat zgjedhore ndër vite.
“Çështja e referendumit edhe për vullnet të mazhorancës për fat të keq ka kaluar në plan të dytë”, thotë ai.
A2 CNN kontaktoi me sekretarin për Çështjet Zgjedhore dhe Ligjore në PS, Eridian Salianji, i cili nuk pranoi të prononcohej. As sekretarët Blendi Klosi dhe Etilda Gjonaj nuk dëshiruan të komentonin, njësoj si deputetët Arben Pëllumbi, Klotilda Bushka e Toni Gogu, që nuk gjetën dot kohën për një intervistë mbi çështjen e referendumeve.
Me verën e vitit 2022 tema e referendumeve duket se mori fokusin e vëmendjes politike. Më i zëshmi që e ka kthyer atë në kalë beteje të kthimit në politikën aktive është Ilir Meta, i cili pas përfundimit të mandatit presidencial flet për kalimin e vendimmarrjes te sovrani, si mjet për të luftuar korrupsionin.
Ndërsa lajmëroi shndërrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Partinë e Lirisë ish-presidenti theksoi se problemet nuk i zgjidhin dot eksponentët politikë të opozitës, por vetë qytetarët shqiptarë. Një qëndrim të tillë Meta e ka mbajtur edhe gjatë kohës kur ndodhej në zyrën më të lartë të shtetit shqiptar. Ndërkohë që politika ende nuk ka një qëndrim të përbashkët, në Kuvend janë të depozituara dy projektligje për referendumet.
Një prej tyre është drafti i hartuar nga INFOCIP dhe partneret e sektorit te Shoqërisë Civile. Drejtori i kësaj qendre Gerti Shella shpjegon se heqja e barrës financiare të organizimit të referendumeve grupeve nismëtare është një prej pikave kryesore të draftit. “Kemi parë se pavarësisht se mund të ketë ekzistuar vullneti procedura ka qenë pa mundësuese. Ky ligj merr përsipër ta thyeje këtë mur pamundësimi duke i dhënë detyra konkrete KQZ të punojë në funksion të interesit publik dhe jo të marrë urdhra për të sabotuar interesin publik”, shton Shella.
Sipas tij për të mundësuar të drejtën e marrjes pjesë në referendum të çdo shtetasi shqiptar me të drejtë vote, projektligji parashikon nënshkrimin elektronik. Shella shpjegon se nënshkrimet për një nismë referendare mund të mblidhen përmes portalit e-albania.
Nisma “Po për Shqipërinë”, një organizatë partnere e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, me firmën e deputetit Dashamir Shehi ka depozituar në Kuvend një tjetër projektligj për referendumet. Kryetari i LZHK e sheh këtë si një mundësi që qytetarët të ushtrojnë atë që njihet ndryshe si demokracia direkte ndërsa kërkon edhe ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit.
Sipas Shehit, referendumi “u jep mundësinë qytetarëve të shprehen direkt, propozoj 20 mije firmë por kjo mund të diskutohet”. Demokratët nga ana tjetër pohojnë se do të paraqesin propozimet e veta në punimet e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, që deri më tani ka zhvilluar vetëm një mbledhje, atë të konstituimit.
Nevoja e rishikimit të kuorumit, është një nga aspektet konkrete që gjen dakordësi edhe jashtë forcave politike.
“Duhet shumë punë për të bërë për të nxitur qytetarët të marrin pjesë në një referendum”, thotë Erida Skendaj e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Me qëllim që qytetarët të kenë mundësi reale të ushtrojnë kontrollin ndaj qeverisë, Adriatik Lapaj thekson nevojën për të kaluar përtej ligjit mbi referendumet, duke ndryshuar sistemin elektoral.
“Shqipëria ka dy rruge të vetme për të lënë pas tranzicionin dhe për t’iu bashkuar familjes së vendeve normale me demokraci funksionale dhe këto dy rrugë janë: ligji për referendumet dhe dy, hapja e garës përmes ndryshimit të kodit elektoral pasi kjo do krijonte mundësinë e flukseve të reja në politikë”, shton Llapaj.
Nisja e negociatave me BE sipas tij është një faktor që do të detyrojë politikën të shkojë drejt miratimit të një ligji për referendumet. Në më shumë se 30vjet demokraci, shqiptarët janë thirrur vetëm tre herë në konsultim referendar. Në vitin 1994, kur rrëzuan kushtetutën e propozuar nga Berisha, në vitin 1997 kur zgjodhën republikën ndaj monarkisë dhe në vitin 1998 kur miratuan Kushtetutën e vendit.
Burimi: A2CNN