Në arrati prej 29 vitesh, pse nuk po arrihet të kapet bosi i “Cosa Nostra”, Mateo Mesina Denaro?

0
27
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ditët e fundit drejtoria e Qarkut Anti-Mafia në Palermo, lëshoi 70 urdhra kundër disa njerëzve që banojnë në provincat e Palermos, Mesinës dhe Trapanit. Ato përfshinin kryesisht kontrolle në shtëpi, zyra, shtëpi rurale, dyqane, magazina në zonën e Beliçes.

Për 23 persona është vendosur masa e arrestit në burg, dhe 12 të tjerë janë lënë në arrest shtëpie. Mbi ta rëndojnë akuzat e lidhjeve me mafian, zhvatje, trafik droge, armëmbajtje pa leje etj. Prokurorët Françeska Desi, Pieraxhelo Padova dhe Alesia Sinatra, të koordinuar nga zëvendësprokurori Paolo Guido, besojnë se rrjeti i të dyshuarve vazhdon të punojë për kontrollin e territorit dhe garantimin e interesave ekonomike të Mateo Mesina Denaro, kreu i “Cosa Nostra” në kërkim që nga viti 1993, dhe më i kërkuari në Itali. Në përgjime Mesina Denaro njihet ne nofkën Ignazieddu.

Por ai përmendet edhe si “vëllai i atij që ishte në bankë”. Në fakt një nga vëllezërit e tij punonte dikur në një degë të Banca Sicula. Hetuesit kanë përgjuar edhe dy të dyshuar të cilët flisnin për vdekjen e Mesina Denaro. Por një tjetër i dyshuar, deklaroi pak ditë më vonë: “Le ti bëjmë të besojnë se ka vdekur, ndoshta reduktojnë kërkimet për të”.

Operacioni i kryer nga ROS, grupi operacional special i karabinierëve, është vetëm i fundit në përpjekje për të kapur Mesina Denaro, njeriun që i zuri vendin Toto Rinës në krye të Korleonezëve, mafia dominuese pas arrestimit të tij në vitin 1993.

Mesina Denaro, që është nga Kastelvetrano, e ka udhëhequr mafian gjithnjë e më shumë brenda ekonomisë “legale”, duke e braktisur strategjinë e masakrave, edhe pse ka qenë frymëzues dhe zbatues i disa të tillave gjatë vitit 1993 (shpërthimet me bomba në Firence, atentati ndaj gazetarit Mauricio Kostanzo në Romë, shpërthimet me bomba më Milano dhe në Romë).

Francesco Geraçi, një mafioz që u bë bashkëpunëtor i drejtësisë ka deklaruar:“Një ditë në vitin 1992 Mateo më takoi dhe në një moment më pyeti se çfarë mendoja për një seri atentatesh që do të kryheshin kundër njerëzve të famshëm si Pipo Baudo, Kostanzo, Marteli, Santoro etj.

Ai tha se ato do ta destabilizonte shtetin. Unë u përgjigja: Në rregull. Ai më tha se së shpejti do të shkojmë në Romë për të kaluar kohë me VIP-at”. Një mafioz tjetër, Xhuzepe Graviano, u tha gjyqtarëve se në vitin 1992, se së bashku me Mesina Denaron, ai ishte në mesin e audiencës gjatë puntatës së radhës së emisionit Mauricio Kostanzo, në Teatrin Parioli në Romë. Një vit më pas, më 14 maj, ndodhi sulmi ndaj gazetarit dhe prezantuesit të njohur.

Policia nuk ka asnjë imazh të viteve të fundit të Messina Denaros. Vetëm një fotografi e vjetër dhe një identikit i vizatuar në bazë të përshkrimit të fundit të dikujt që e ka takuar disa vite më parë. Në gushtin e vitit 2021, një kasetë me zërin e tij të regjistruar në vitin 1992 u gjet në arkivin e gjykatës së Marsalas gjatë dëshmisë së tij në një gjyq.

Po ashtu ekziston edhe një video e shfaqur nga RAI 2 një vit më parë, në të cilën sipas disa dëshmive Mesina Denaro ishte duke kaluar me një makinë në vitin 2009 në një rrugë në zonën e Agrixhentos. Mirëpo, nuk ka pasur asnjëherë konfirmim se njeriu që shfaqet për disa momente në atë video është vërtet ai.

Vitet e fundit është pretenduar se Mateo Mesina Denaro është parë në Amerikën e Jugut, Dubai, Britaninë e Madhe, Suedi, Holandë. Më 13 shtator 2021, një turist britanik, që po darkonte në restorantin “Het Pleeidoi” në Hagë me dy persona të tjerë, u ndalua nga forcat speciale holandeze në një operacion spektakolar ku përfshiheshin shumë agjentë.

Sipas një raporti të marrë nga policia holandeze nga prokurori italian në Trento, ai njeri duhet të ishte Mateo Mesina Denaro. Por vetëm pas disa orësh, turisti anglez mundi t’u provonte atyre që po e merrnin në pyetje se nuk ishte ai bosi i mafies. Por shumë hetues janë të bindur se ai nuk largohet asnjëherë nga territori i tij: zona e Beliçes, midis Kastelvetranos, Trapanit, Marsalas dhe Agrxhentos. Ata e dinë se Bernardo Provencano që qëndroi në arrati për 43 vjet përpara se të arrestohej më 11 prill 2006, në një fermë pranë Korleones, nuk kishte lëvizur asnjëherë nga territori i tij.

Por ky krahasim nuk vlen. Pasi Provencano ishte pjesë e një mafie të vjetër rurale. Shtëpia ku u gjet dhe arrestua, dhe ku kishte kaluar vitet e fundit ishte gati një gërmadhë. Ndërkohë me aq a dihet, Mesina Denaro i ka qejf veshjet e bukura, jetën e mirë, i pëlqen të rrethohet me objekte arti (porositi vjedhjen e një zbulimi të rëndësishëm arkeologjik që ruhet në muzeun e Mazara del Vallo), i pëlqen të lexojë, dhe sipas atyre që e kanë njohur kur ishte i ri, besohet se është shumë inteligjent dhe një lloj revolucionari.

Miku i tij i fëmijërisë, Xhuzepe Fontana, i njohur si “Peppe Rocky”, menaxher i një restoranti në Selinunte, thotë për të: “Matteo është një njeri me një zgjuarsi mbi mesataren. Ai mund të kishte bërë shumë për Siçilinë”. Kur nisi t’i fshihet policisë, ai i shkroi të dashurës së tij: “Më duhet të largohem. Nuk mund të t’i shpjegoj dot arsyet e zgjedhjes sime. Tani për tani gjërat po kthehen kundër meje. Jame duke luftuar për një kauzë që nuk mund të kuptohet. Por një ditë, do ta mësojmë se kush ishte në anën e arsyes”.

Në dallim nga shumë bosë të mafias të kapur midis viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000, Mesina Denaro është një i arratisur në një epokë në të cilën ata që e ndjekin atë kanë sisteme teknologjike më të fundit dhe bashkëpunim me forcat policore nga e gjithë bota. Kërkimi i tij nuk bëhet vetëm në territor, por edhe në rrjetet sociale, në të gjitha aplikacionet e mesazheve, madje edhe në seancat e lojërave online si Fortnite, në të cilat përdoruesit komunikojnë me njëri-tjetrin.

Në vitin 2020, gjykatësi Nino Di Mateo, që ka qenë gjithmonë i përfshirë në luftën kundër mafias, dhe që jeton i shoqëruar nga truproja që nga viti 1993 deklaroi: “Është shumë shqetësues fakti që arratia e Mateo Mesina Denaros, i dënuar me burgim të përjetshëm, po vazhdon prej 27 vjetësh. Ashtu siç ndodhi me arratinë e Provencanos për 43 vjet. Situata të këtij lloji nuk mund të mos jenë pjesërisht rezultat i bashkëpunimit të institucionale dhe politikës italiane. Nuk është normale që për 27 vjet, apo 43 vjet, të mos mundet të kapet një i kërkuar”.

Vinçenzo Kalkara, ish-drejtues i mafias në Kastelvetranos, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë, konfirmoi ekzistencën në të kaluarën të një marrëdhënie të ngushtë midis lozhës masonike të Kastelvetranos, Kampobelos dhe Trapanit dhe grupimit mafioz të zonës. Anëtarësimi në këto lozha u ofron pjesëtarëve të mafias një mjet për të fituar favore në shumë fusha, për të përfunduar një punë, dhe kur është e nevojshme edhe ndihmë për t`u fshehur.

Në një libër të Françesko Forxhones dhe Paolo Mondanit “Përtej Kupolës”, përmendet një episod i rrëfyer nga ish-mjeshtri i madh i Orientit të Madh të Italisë (institucioni më i vjetër masonik italian) Xhulio Di Bernardo për prokurorin e Palmit. Pas masakrave në të cilat u vranë Falkone dhe Borselino, në një takim të mjeshtrave të mëdhenj të lozhave siçiliane, presidenti Oracio Katarsini, propozoi miratimin e një dokumenti që vërtetonte pozicionin e Masonerisë në lidhje me mafian.

“Menjëherë pas atij takimit, Katarsini më telefonoi në Ishujt Kanarie ku isha me pushime, duke më thënë se ishte i shqetësuar për mungesën e miratimit të dokumentit, që e kishte hutuar dhe nuk dinte sesi ta interpretonte”. Denaro është mafiozi i fundit ende i lirë që dinte gjithçka për masakrat e vitit 1993, përfshirë vrasjet e Falkones dhe Borselinos.

Po ashtu është hedhur hipoteza se ai zotëron dokumente që i përkisnin Toto Rinës, me të cilat do të shantazhonte figura të rëndësishme të politikës dhe biznesit. Asnjë nga bashkëpunëtorët e drejtësisë, nuk ka dhënë ndonjëherë indikacion se ku mund të jetë Mesina Denaro. Shumë njerëz e mbrojnë edhe sot e kësaj dite, ndoshta edhe nga frika. Në një nga shënimet e tij në letra të vogla, me të cilat komunikon zakonisht, dhe që përfundoi në duart e hetuesve ai shkruante: “Me njerëzit që kam vrarë mund të mbushja një varrezë!”.

Bota.al

Zjarr Tv Ad