Në Beograd priten sërish protesta kundër Vuçiçit

0
11
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Mijëra protestues janë thirrur të marrin pjesë  në protestën që do të mbahet sot pasdite në Beograd nga koalicioni opozitar “Aleanca për Serbinë”. Fokusi i protestave paqësore do të jetë denoncimi i aferave të qeverisë dhe presidentit aktual, Aleksandër Vuçiç, si edhe apeli për përmbushjen e kërkesave për zgjedhje të lira dhe të ndershme, medie të pavarura dhe dorëheqjen e figurave politike kyç në qeveri.

Kreu i aleancës dhe kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Zoran Lutovaç, ka paralajmëruar se demonstrata e tyre nuk do të ndiqet me incidente apo sulme ndaj institucioneve, dhe u ka bërë thirrje mbështetësve që t’i shprehin qetësisht pakënaqësitë e tyre me partinë në pushtet.

Një ditë më parë kreu i dikasterit të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, tha se si pasojë e akteve sporadike të dhunës të regjistruar nga protestat e opozitës në 18 javët e fundit, ai po mendonte seriozisht të hynte në grevë urie si shenjë proteste ndaj huliganizmit dhe fashizmit opozitar, porse vendimin ka vendosur ta shtyjë pas konsultimeve me kreun e shtetit, Vuçiç.

Partitë opozitare nuk i kanë bërë të njohura planet e tubimit të sotëm, por një javë më parë nuk e përjashtuan opsionin e mbajtjes së protestave gati të përditshme dhe mosbindjen ndaj autoriteteve deri në fillimin e muajit të ardhshëm.

Vuçiç u ka ofruar rivalëve politikë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme brenda verës ose vitin tjetër, por opozita ka refuzuar të hyjë në zgjedhje me rregullat në fuqi.

 

 

Zjarr Tv Ad