Butrinti u dha me koncesion” ishte akuza më e zakonshme e muajve të kaluar në Parlament kur qeveria mbronte marrëveshjen e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për menaxhimin e tij.
Edhe pse ka qenë akuzë që përsëritet, nëpërmjet këtij raportimi, do të japim me argumenta dhe fakte se akuza e përsëritur në Parlament dhe e mbrojtur nga eksponentë të shoqërisë civile është dezinformim i opionit publik, për sitin më të rëndësishëm shqiptar të Arkeologjisë.
Pas hartimit të këtij plani, i njohur ndryshe dhe si Plani i menaxhimit të integruar për Parkun e Butrintit, ka patur një sërë “përplasjesh” mes mazhorancës dhe opozitës. Më 23 Maj të vitit 2022 ishte Kuvendi i cili tha fjalën e fundit pasi miratoi me 75 vota “pro” marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, duke finalizuar kështu edhe fitoren e mazhorancës pas “raundeve” të debateve në studio televizive apo dhe në seanca plenare me forcën tjetër politike.
Me skepticizëm, kritikët e vlerësuan këtë marrëveshje se qeveria synon të japë me koncesion Butrintin te të huajt. Tashmë prej kohësh kjo është akuza kryesore e opozitës dhe disa eksponentëve të shoqërisë civile të cilët protesojnë kundër projektit për zhvillimin e Parkut të Butrintit i cili është në ruajtje në UNESCO-s që prej vitit 1992.
Por a është e vërtetë që Parku i Butrintit është dhënë me koncesion te të huajt?
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila ka qenë një ndër personat e parë që ka ngritur shqetësimin e dhënies me koncesion të Butrintit, për “Newsbomb.al” ka ripërsëritur akuzat se pasuria e shqiptarëve po i jepet në duar të huajve, të cilët do e trajtojnë Butrintin si “mall tregtar” për interesat e tyre. Deputetja ngulmon se koncesioni i Butrintit është antikushtetues, pasi Kushtetua e Shqipërisë e thotë qartazi se shteti duhet të jetë garant për ruajtjen e pasurisë dhe trashëgimisë kulturore.
“Jemi një vit mbas marrëveshjes së Butrintit dhe siç ju e dini unë vërtet e kam kundërshtuar edhe e kundërshtoj jo vetëm në deklarata publike, por tashmë edhe në Gjykatë Kushtetuese ku siç e dini seancën e parë publike plenare e kemi më 15 qershor. Koncesioni i Butrintit është për tu kundërshtuar sepse nuk ka një rast të tillë në botë, në të gjithë vendet që kanë miratuar Konventën e Parisit dhe që janë pjesë e pasurive UNESCO që të japin me koncesion pasuritë kombëtare një privati. Pavarësisht se kush është private dhe pavarësisht nëse ka emër të mirë apo emër të panjohur. Koncesioni i Butrintit është joligjor, jokushetues , sepse Kushtetuta e Shqipërisë thotë që “Garante për ruajtjen e pasurisë kombëtare, trashëgimisë kulturore, është shteti sepse shteti duhet të ketë prioritet, pikërisht identitetin kombëtar, historinë, edhe të ketë mundësi që ta ruajë këtë për ta transmetuar te brezat e ardhshëm.” Ndërsa, një privat e trajton Butrintin si mall tregtar, dhe ka prioritet fitimin, ka prioritet se si të arrijë që të fitojë më shumë para”, tha ajo.
Sa i përket anëtarëve të bordit të këtij fondacioni, Zhupa shprehet se për herë të parë në këtë koncesion shteti shqiptar është në raportin 1 me 5, ku ministrja e Kulturës, Elva Margariti është vetë pjesë dhe jo si Ministri Kulture, por vetë ajo personalisht.
“Është vetë ministrja funksionare pjesë e këtij fondacioni dhe ministrja me emër si Elva Margariti dhe jo si ministre e Kulturës dhe ndërkohë 4 individët e tjerë janë idividë privatë. Janë dy CEO-t e ADF, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, është një juriste Fjona Boriçi dhe është ai më i rrezikshmi për Butrintin Richard Hodges”, tha Zhupa, teksa më pas listoi dhe arsyen e tretë se pse ajo konteston që kjo marrëveshje është koncesion.