Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të takoheshin ditën e sotme në Gjakovë, në vazhdim të takimeve të përbashkëta, një traditë e nisur vite më parë.
Mirëpo dje u njoftua se mbledhja është anuluar. Zëdhënësi i qeverisë kosovare, Përparim Kryeziu tha në një njoftim se ishte kryeministri Edi Rama që ka kërkuar që mbledhja të anulohet, që do të thotë edhe anulimi i nënshkrimit të 13 marrëveshjeve të reja që ishin në plan sot.
Edhe pse u tha që qeveria shqiptare nuk do të shkonte në Kosovë, Gjakova ka qenë në pritje të tyre deri në minutën e fundit.
Vetëm pak minuta më parë ka nisur të çmontohet skena ku do pritej qeveria Shqiptare, si dhe është hequr slogani i madh i kësaj mbledhje që ishte “Të përbashkuar në Gjakovë”.
Takimi zyrtar do të niste në orën 11.00 me mbërritjen e delegacionit të qeverisë shqiptare dhe më pas Kryeministrit Rama. Pas himneve të dy vendeve tona, në orën 11:30 do të jetë edhe hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive, ku do të nëshkruheshin edhe disa marrëveshje ndërqeveritare.
Mbledhja është anuluar, pasi thuhet se kryeministri Rama i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit që të ishte një mbledhje më e vogël dhe të diskutohej vetëm për çështjen e tensioneve në veri. Duket se mosdakordësimi ka çuar dhe në anulimin e kësaj mbledhjeve mes qeverive shqiptare.