44 milionë lekë ka vënë në dispozicion AMA për blerjen e një automjeti. Por edhe pse agjencia e prokurimeve publike kërkoi që në këto raste të mos vendosen si kritere përmasat e mjetit, në prokurim konstatohet sërish i njëjti fenomen.
Thirrja e Agjencisë së Prokurimit Publik për të hequr dorë nga kriteret e qepura si kostum me porosi ka shkuar në vesh të shurdhër për Autoritetin e Medias Audiovizive.
Rreth 1 javë pas njoftimit të APP, AMA ka shpallur një tender ku konstatohet pikërisht situata që Agjencia kishte marrë si shembull për t’i kërkuar autoriteteve të hiqnin dorë.
Në procedurën e shpallur me datë 18 mars me objekt “Blerje automjet fouristradë 4X4” janë përcaktuar disa specifikime të cilat sipas APP mund të kufizojnë pjesëmarrjen dhe orientojnë ofertuesit drejt markave specifike dhe distributorëve specifik.
Referuar dokumenteve të tenderit shihet se në specifikimet teknike AMA ka përcaktuar edhe përmasat fikse të automjetit, duke filluar nga gjatësia, e cila duhet të jetë minimalisht 4,695 mm, lartësia, gjerësia, largësia nga toka, madje dhe vëllimin e bagazhit.
Sikur të mos mjaftonin këto parametra specifikë, Autoriteti i Medias Audiovizive ka renditur si kritere kualifikimi dhe disa aksesorë luksi, të cilat automjetet jo domosdoshmërisht duhet t’i kenë.
‘Sediljet e para me ngrohje’, ‘Tregues për rënien e Gomës në kroskot’, ‘Shina në tavan me ngjyrë gri’, ‘Mbështetëse krahu përpara’ dhe të tjera si këto janë kritere të tilla që mund të sjellin kufizim të pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë, të cilët mund të ofertojnë pajisje me parametra më të lartë se ato të kërkuara.
Fondi limit i vënë në dispozicion është 4.6 milionë lekë dhe kompanitë që do të marrin pjesë në tender kanë afat deri në datën 28 mars për të dorëzuar ofertat e tyre.