Setermoen/Kirkenes, Norvegji – Nën një diell dimëror të butë në veri të Norvegjisë, marinsat amerikanë stërviten në akull dhe dëborë ndërsa mësojnë se si të luftojnë në ngricë.
“Cili vend është në verilindje?” gërthet rreshteri Daniel Croak, pjesë e një grupi prej 20 ushtarësh me xhaketa ushtarake kamuflazhi dhe pantallona të bardha, që marshojnë nëpër pyllin me pisha pranë qytetit Setermoen.
“Rusia”, thërrasin ata sërish me zë.
Trupat janë pjesë e një kontigjenti prej 650 marinsash që po zhvillojnë stërvitjen e fundit ushtarake të përbashkët me 3000 ushtarë nga Norvegjia, anëtare e NATO-s, në një kohë kur edhe NATO, edhe Rusia e kanë shtuar praninë e tyre ushtarake në Arktik.
Disa qindra kilometra larg Setermoen, Rusia është duke modernizuar forcat e saj në gadishullin Kola, vendi i Flotës Veriore të saj.
Rusia ka kryer gjithashtu manovra javët e fundit, duke organizuar një stërvitje të madhe me nëndetëse në Atlantikun e Veriut, sipas shërbimeve sekrete të cituara nga mediat norvegjeze.
“Mos i përdorni GPS. Ato mund të bllokohen”, i paralajmëron Croak marinsat, një paralajmërim që buron nga akuzat e NATO-s, të mohuara nga Rusia, se Moska i kishte bllokuar sistemet GPS në Norvegji.
Tensioni në rritje po i shqetëson shumë norvegjezët, veçanërisht në qytetin Kirkenes, që për tre dekada është përpjekur të nxisë bashkëpunimin me Rusinë.
Në foto: Ushtarët norvegjeze dhë marinasat amerikanë në patrullim dhe paralelisht, jeta në qytetin kufitar.
Banorët mund ta kalojnë kufirin me një leje pa viza. Shumë njerëz shkojnë në qytetin më të afërt rus Nikel për të blerë naftë, sepse është shumë e lirë atje dhe shenjat rrugore në të dyja anët janë me shkronja cirilike dhe latine.
“Nuk më pëlqen që të ngrihen ushtritë në të dyja anët e kufirit. Ne nuk duam të rrisim tensionet,” tha Eirik Wikan, një bashkëpronar i kantierit Kiem në Kirkenes, që i nxjerr dy të tretat e fitimeve të tij nga riparimi i anijeve ruse.
“Këtu në veri, ne punojmë së bashku për të ulur tensionet… Ne përpiqemi të mos bëhemi pjesë e tyre.”
Rusia nuk e pranon përgjegjësinë për rritjen e tensioneve, ajo ia vë fajin ngritjes së fundmi të bazës amerikane në Norvegji, që e sheh si një sfidë për sigurinë.
Mirëpo shqetësimet për Norvegjinë u shtuan pasi Rusia aneksoi Krimenë nga Ukrainë në vitin 2014 dhe më pas organizoi stërvitje ushtarake në Arktik, deri edhe manovra detare me anije të pajisura me raketa balistike.