Evitimi i rrugës gjyqësore (padi civile e kallëzim penal) kur gazetarët e mediat botojnë lajme të pavërteta e shpifëse ndaj një ofiqari publik ka qenë një standard i vendosur nga qeveria Berisha 2005-2013 (po e quaj shkurt “standardi 2005”). Këtij standardi i është përmbajtur më pas edhe PD në opozitë. Deri dje! Po lexoj se kryetari e sekretari i përgjithshëm i partisë kanë depozituar në 14 nëntor padi e kallëzim kundër dy mediave. Këto të fundit me linjë editoriale të afërt me opozitën.
Nuk është çështja ime të kem një opinion nëse lajmet që u bënë shkak për këto dy reagime janë të vërteta apo të rreme. Por dy fjalë mbi standardin 2005: në një demokraci post komuniste si Shqipëria shfaqen dy simptoma problematike. Së pari, mediat shpesh janë objekt i kapjes nga politikanë e biznesmenë dhe si pasojë gazetarët e redaktorët e tyre bien në trysni për të shkelur profesionalizmin dhe etikën e zanatit. dyti, ofiqarët publikë shpesh nuk janë llogaridhënës e transparentë për çështje të tyre që lidhen me ofiqin e interesin publik.
Në këto rrethana ‘standardi 2005’ është rruga e drejtë dhe e duhur. E dimë që për motive të imagjinueshme disa media jo rrallë raportojnë gënjeshtra e pasaktësira. Kështu ka qenë më parë; kështu është aktualisht në epokën e rrjeteve sociale e me gjasë kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Por ndërkohë që çdo person privat ka të drejtën e mundësinë për të gjetur shpagim në gjykatë, ofiqari ka avantazhin e detyrimin e një gjyqi tjetër: gjyqin e opinionit publik. Të tëra shpifjet e pretendimet e rreme ai mund t’i mohojë në parim dhe mund t’i çmontojë në detaje me prova e fakte. Duke detyruar edhe median e lajmit të kontestuar të botojë përgënjeshtrimin. E kur kjo e fundit refuzon atëherë na rroftë fejsbuku. E prej tij e marrin dhe publikojnë plot media të tjera.
Standarti 2005 fatkeqësisht u braktis në v.2013 nga qeveria Rama. Për më tepër kjo qeveri aprovoi edhe një ligj antifjalë, i cili hasi në kundërshtim të fortë vendor e ndërkombëtar; madje u bë një nga pengesat në udhën drejt Bashkimit Europian.
Në këto rrethana veprimet e dy zyrtarëve të Partisë Demokratike janë të gabuara, si dhe të dëmshme për interesin publik e për vetë opozitën. Prandaj apeloj të tërheqin çdo padi apo kallëzim dhe, nëse preferojnë, të japin versionin e tyre në arenën e opinionit publik.