Aktivisti dhe avokati Adriatik Lapaj, një iniciator i protestave qytetare reagon për masat që njoftoi sot kryeminisstri Edi Rama, për uljen e çmimit të karburanteve. Teksa njofton protestën sot në orën 17.00 te Kryeministria, Lapaj thotë se duhet një hetim i plotë i tregut për të dalë qartë se ku buron shkaku i çmimit të lartë të naftës.
“Kjo është punë dinjiteti. Nuk po kërkon kush x apo y çmim sepse ne nuk jemi Sudja. Ne po kërkojmë që shteti të jetë shtet, që ekonomia jonë të jetë konkuruese me fqinjët e që askush mos tallet duke na zhvatur e çmimi të jetë i drejtë”, shkruan Lapaj ndër të tjera dhe ka disa propozime, si më poshtë.
Hetim të plotë të tregut të naftës, nga çmimi blerjes në burs, hyrja në port, te stokimi, çmimit të hyrjes dhe çmimit të daljes, kush e ben këtë monitorim, a kryhet zhdoganimi i plotë, dhe si del çmimi final te pikat e karburanteve, marzhi i fitimit të tregtarëve, niveli i taksimit për të dalë qartë se ku buron shkaku i çmimit të lartë. Transparencë të plotë.
Marrja e masave urgjente administrative me çmim tavan apo në forma të tjera për vënien në kontroll të çmimit të karburantit.
Një hetim anti-trust për thyerjen e oligopolit të naftës, rikthimin e konkurencës në treg. Kjo i drejtohet Autoritetit të Konkurencës, Kontrolli të Lartë të Shtetit, dhe Parlamentit të Shqipërisë.
Krijimin me prioritet në kohë të një kompanie publike pë tregtimin e naftës që të konkurojë në tregun privat të naftës dhe burime parësore të energjisë me perspektivë investimin në prodhim duke miratuar një strategji kombëtare për ngritjen e një rafinerie të re dhe moderne të përpunimit të hidrokarbureve në vend…
Riformatim total të logjikës së taksave për burimet e para, të ulen apo të hiqen taksa të panevojshme apo që demtojnë direkt xhepat e qytetarëve duke i bërë ato konkuruese me vendet fqinje
Hetimi i koncensioneve që ndikojnë në rritjen e çmimit të naftës, me qëllim anullimin ose rinegocimin e tyre në favor të interesit publik.