Ish-deputeti Myslim Murrizi thotë se edhe vetë socialistët kanë spiunë në partinë e tyre. Nisur nga debatet e kohëve të fundit, ai është shprehur sot se PS rrëzoi ndryshimet ligjore që ai propozoi në Kuvend kur ishte dhe vetë deputet.
“Ata kishin frikë ta votonin ligjin kur e prezantova sepse kishin spiunë dhe kanë spiunë brenda. Ditën që do hapen dosjet shqiptarët do të shohin se çfarë llumi e çfarë qelbi e ka drejtuar këtë vend në 32 vite post komunizëm”, u shpreh ish-deputeti.
I ftuar në Ora News, Myslim Murrizi ka thënë më tej se politika shqiptare që prej vitit 1999 e deri më sot ka pasur plot spiunë në krye të institucioneve më të larta shtetërore.
“Kam qe katër vite në Parlament që kam folur për spiunë. Shqipëria ka pasur 165 mijë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit nga ’48-‘90 dhe rreth 33 mijë oficerë të Sigurimit të shtetit. Politika ka pasur brenda saj nga 31 marsi në ’91 deri sot plot spiunë të Sigurimit, në sallë të Kuvendit, në Presidentit, qeveri, në kryesi të Kuvendit e vazhdon e deri sot.
Vetë politika ka qenë e pistë deri në grykë e nuk ka pasur moral të zbatojë dy rezolutat e Këshillit të Evropës, një është për të ndarë me ligj të kaluarën e errët dhe kriminale të komunizmit me post-komunizmit dhe një është kërkesë e 2006. Asnjë komision për mua nuk është i besueshëm nëse nuk ka transparencë dhe nuk bëhet një ligj jofrenues”, vijoi ai./newsbomb.al