Në “San Siro” luhet Simfonia e Fundit

0
4

Ronaldo shënon me roveshatë, por e ftoj ta provojë njëherë nga 30 metra, nëse mundet. Nëse ka një Ronaldo që unë njoh, ai është vetëm braziliani (Ronaldo da Lima). Thotë gjithashtu se të shkuarit te Juventusi ishte një sfidë për të. Nëse ai kërkonte një sfidë, duhej të pranonte ofertën e një klubi të Serisë B dhe ta ngjiste në A, jo të zgjidhte një klub që ka shtatë vite radhazi që fiton edhe pa atë”. Zlatan Ibrahimoviç ndoshta nuk është “Zoti i futbollit”, siç e etiketon veten ai, por pa dyshim që “Zoti i batutave” dhe i thumbimeve ndoshta po. Sepse fjalët e lëshuara ndaj Kristiano Ronaldos së fundmi janë epike, ashtu siç pritet të jetë edhe sot dueli i radhës dhe ndoshta i fundit në Itali mes Zlatanit dhe Kristianos (Ibra pritet t’i japë lamtumirën Milanit, në fund të sezonit). Nga ana tjetër, Ronaldo nuk ka dashur që t’i kundërpërgjigjet me zë suedezit, por këtë e ka bërë gjithmonë në fushë, duke pasur madje edhe një avantazh shumë të thellë kundrejt Ibrës. Në përballjet direkte mes tyre portugezi e ka mposhtur 5 herë duke shënuar edhe 7 gola përballë tij, ndërsa suedezi e ka mundur vetëm 1 herë dhe duke realizuar 3 gola.

BETEJA E FUNDIT

Teknikë, forcë fizike, vullnet dhe dëshirë për të fituar ‘ janë cilësitë që bashkojnë këto dy kampionë të topit, sa të ngjashëm, aq edhe të ndryshëm. Madje, duke qenë se si rrjedhojë e ndarjes nga jeta të gjeniut Enio Morikone, të gjitha ndeshjet e Serisë A këtë javë do të kujtojnë disa prej tingujve të kolonave zanore më rrëqethëse të kompozuara nga autori, nuk mund të kishte muzikë më të bukur për të bekuar edhe startin e duelit të sotëm mes Milanit dhe Juventusit, si dhe sfidën brenda sfidës mes Ibrës dhe Ronaldos. Në duelin e parë dhe të vetëm në këtë sezon, më 13 shkurt, me rastin e gjysmëfinales së vajtjes së Kupës së Italisë, në fushë nuk pati fitues (barazim 1-1). Gjithsesi, Ronaldo nuk ngurroi që t’i festonte përpara fytyrës kolegut-rival, pasi arriti të realizojë golin e barazimit me penallti në minutën e 90-të, ndërsa Ibra thjesht e ndoqi teksa e ekzekutonte në rrjetë. Por mbrëmjen e sotme, suedezi do provojë të kundërpërgjigjet. Do provojë që të shtojë edhe Juventusin në listën e viktimave të tij, pasi të shtunën u bëri një nder shumë të madh bardhezinjve, duke goditur dhe duke nxjerrë përkohësisht Lacion nga lufta për titull. Shkurt, Zlatan Ibrahimoviç është “sherifi” i momentit për “scudetton” në Itali dhe së bashku me shokët e tij do të kërkojë që të përshëndesë në mënyrën më të mirë Milanin dhe Italinë.

DUELET EPIKE

Nëse Ibra mbeti pa Botëror në vitin 2014, për këtë duhet të fajësojë Kristiano Ronaldon. “Play off”-i mes Suedisë dhe Portugalisë ishte thjesht një çmenduri. Nëse Ronaldo vendoste me golin e tij ndeshjen e vajtjes në Portugali, 1-0, në atë të kthimit, më 19 nëntor 2013, mes dy “robotëve” nisi një luftë në distancë. Atë e nisi CR7 me një gol shumë të shpejtë, por Ibra iu kundërpërgjigj me një dopietë dhe përmbysje: fluturim me kokë në rastin e parë, një silurë nga goditje dënimi në të dytën. Por në 45 minutat e dyta, Ronaldo bëri të paimagjinueshmen, dy gola me diagonale brenda zonës që lënë Zlatanin jashtë Botërorit. Ndërkohë, suksesi i Ibrës ndaj Ronaldos që mbahet mend ishte derbi i parë dhe i vetëm në Spanjë, kur suedezi, në ndeshjen e parë me Barcelonën e Guardiolës shënon menjëherë sapo zbriti në fushë dhe ai gol i vetëm mjaftoi për të dhuruar tri pikët. Ndërkohë, sot do të jetë akti i radhës, por edhe i fundit me shumë mundësi mes Zlatan Ibrahimoviçit dhe Kristiano Ronaldos, në “La Scala”-n e futbollit, tempulli i duhur për dy ikona si suedezi e portugezi.