Ish-kryeministri Sali Berisha mori pjesë këtë të mërkurë në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së tij Berisha e vendosi theksin tek hapja e Partisë Demokratike përmes primareve, por siguroi demokratët se do të ketë Edhe hapje të tjera në vijim.
Berisha sulmoi gjatë fjalës së tij dhe nismën Open Balkan, të cilën e cilësoi si një iniciativë që kërcënon interesin kombëtar dhe izolon Kosovën.
“Krahas ndryshimeve të shënuara në statut rikthimit të vlerave konservatore ne po shkojmë në zbatimin e atyre që kemi sanksionuar në statutin e partisë. Garantoj që do ketë hapje të tjera nuk do jenë vetëm primaret. Ka një fluks të madh intelektualësh dhe specialistësh në të gjitha departamentet. Departamentet janë ndërtuar mbi bazë merite dhe vote, kanë zgjedhur vetë kryetarin e tyre dhe kanë filluar produktin shumë shpejt. Ne do të kalojmë në organizim aktivitetesh që qytetarët të njihen me produktin dhe me specialistët. Kjo është dëshmi e hapjes së Partisë Demokratike. PD sot është një forcë politike tjetër. Në të gjitha qëndrimet që mban bën përpjekje të mëdha për të mbrojtur interesat publikë të qytetarëve, në parlament dhe me protesta, kjo do të vijë gjithnjë e në forcim dhe do të njohë dimensione të tjera. Kjo parti dëshmohet çdo ditë një parti e interesit kombëtar, e vendosur për integrimin e vendit në BE, për fqinjësi dhe partneritet dinjitoz. Nuk do hezitojë kurrë pa mbrojtur interesat e shqiptarëve nga kushdo që atom und të mos përfillen. Ne kemi mbajtur qëndrimet më të prera ndaj aleancës trilaterale, Beograd-Shkup-Tiranë e cila është një aleancë përçarëse në rajon dhe që kërcënon interesin kombëtar me izolimin që përpiqet t’i bëjnë Kosovës. Partia Demokratike e thekson se vendimet do të merren nga anëtarët dhe mbështetësit e saj. Vendimet për Shqipërinë do të merren në Tiranë nga shqiptarët. Ndonëse konstatojmë se Edi Rama është i gatshëm të marrë vendime të caktuara nga kushdo jashtë këtij vendi vetëm që të shtyjë sa më shumë qëndrimin e tij në pushtet.