Banorët e pallateve në zonën e Astirit, që në dritaren e shtëpive po u mbin një tjetër pallat tetëkatësh, shprehen se do të largohen nga zona, por edhe nga Shqipëria. Në rrëfime të ndryshme për Fax News, banorët thonë se në momentin kur kanë blerë banesat e tyre, sipërfaqja që po zihet nga pallati 8 katësh, ishte parashikuar që të bëhej lulishte dhe shatërvan.
“Kur kemi marë letrat e shtëpive ky vendi ishte parashikuar të bëhej lulishte dhe shatërvan, shteti na erdhi me polici dhe na mori zvarrë kur në protestuam dhe hoqëm barrierat. Të gjithë banorët i kanë nxjerrë shtëpitë në shitje, unë do largohem edhe vetë me gruan nga vendi, le ta mbushin me bangladeshas. Të ndërhyjë SPAK, pasi letrat tona e kishin shatërvan dhe lulishte. Fëmijët rrezikohen se nuk kanë të luajnë, punimet vazhdojnë gjatë gjithë kohës. Kam hyrje që dua t’i jap me qera dhe nuk vjen askush, për shkak se ky pallat i mbulon dritën. E betonoi të gjithë Tiranën”, shprehet një prej pronarëve të disa banesa në pallatet që iu bllokohet pamja.
Një tjetër qytetar thotë se; do të jetë i pari që do ta shesë shtëpinë dhe do të largohet prej aty, pasi tashmë nga dritarja e banesës, nuk mund të shohë diell. “E rrethuan krejt, edhe pse në projekt ishte për lulishte, ma lulishte më të bukur nuk kena më, unë jam i pari që do të shes shtëpinë. Shife e ke të rrethuar të gjithën, kam tri javë që kam ardhur, dhe për zotin nuk ke për të më parë më këtu”, tha një tjetër qytetar, ndërsa treguan edhe se në muajin Prill kishin protestuar kundër ndërtimit të këtij pallati, por ishin marrë zvarrë nga policët.
“Si mund tia zësh t’i diellin atij tjetri, ku është shteti”, mbyll lutjen dhe mllefin e tij ndaj kësaj situate një tjetër banor. Përpos ndërtimit që u zë pamjen, banorët përballen dhe me zhurmën e padurueshme që shkaktojnë ndërtimet, të cilat bëhen orar e pa orar, apo dhe në ditë pushimi.