Enkelejd Alibeaj ka mbledhur grupi Parlament të PD-së. Kjo mbledhje do të shërbejë për t’u informuar lidhur me ecurinë e negociatave me palën tjetër të udhëhequr nga Sali Berisha. Do të jetë negociatori Gazment Bardhi ai që do të diskutojë lidhur me draftin e propozuar nga ai mbi formulën se si 2 palët mund të dalin me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Report Tv zbardhi dje draftin, ku duke mos përjashtuar primaret, e nisur nga ‘Rithemelimi’, Bardhi ka propozuar që përzgjedhja të bëhet me anë të një sistemi pikëzimi për kandidatët, që vjen 50% nga votat e anëtarësisë dhe 50% nga opinion që ka “X” emër te opinioni publik, dalë nga sondazhet. Bardhi ka propozuar ngritjen e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe në nivel të çdo njësie vendore, me përgjegjësi kryesore krijimin e frymës së bashkëpunimit mes demokratëve dhe garantimin e fitores së Partisë Demokratike. Përbërja e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror, thuhet në propozim, duhet të caktohet me mirëkuptim dhe frymë konsensuale.