Pas akuzave të bëra nga mediat malazeze lidhur me pretendimin se po hetohej për favorizimin e një kompanie shqiptare në tender, ka reaguar Sekretarja e Përgjithshme e RCC Majlinda Bregu.
Në një deklaratë të publikuar, thuhet se RCC (Regional Cooperation Council) ka nisur procesin ligjor dhe diplomatik, për të zbuluar arsyet e atyre që ajo i quan “sulmeve dhe trillimeve, ndaj organizatës dhe Sekretares së Përgjithshme”.
Reagimi i Plotë:
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) është i njohur për të qenë një organizatë serioze dhe e përgjegjshme, prandaj nuk komenton as spekulimet e thëna, as trillimet.
Lidhur me insinuatat shpifëse të bëra në artikullin e së përditshmes malazeze Vijesti të datës 20 tetor dhe të përcjella në formën e lajmeve të rreme nga disa media të tjera në rajon kundër KBR-së dhe Sekretarit të Përgjithshëm të saj, ne kemi iniciuar hapat e duhur, duke përfshirë ato diplomatike, për të konstatuar arsyetimin pas tij. Ne e vlerësojmë, mbështesim dhe luftojmë për lirinë e medias, por dezinformimi, përhapja e lajmeve të rreme, shpifjet dhe insinuatat nuk janë të pranueshme.
Në punën tonë, ne mbështetemi në statutin e organizatës, rregullat dhe procedurat e vendosura, duke përfshirë kodin e sjelljes, por edhe në ndershmërinë, integritetin, besueshmërinë dhe faktet. Kjo është diçka nga e cila duhet të udhëhiqen të gjitha organizatat dhe individët.
Sekretariati i KBR-së krenohet me punën e tij si dhe me transparencën dhe llogaridhënien e aktiviteteve të tij, të cilat ndiqen nga afër dhe rregullisht, auditohen dhe vlerësohen nga të gjithë pjesëmarrësit e Bordit, të cilëve organizata, sipas Statutit të saj, raporton në mënyrë të vazhdueshme dhe periodike.
Fokusi ynë në ditët në vijim janë përgatitjet për Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, mbi rezultatet e të cilit Sekretariati i RCC ka punuar gjatë dhe fort, duke pasur parasysh përfitimet e prekshme për qytetarët e këtij rajoni.