Nënkryetari për Tiranën, Ardit Çela: Do dalim forcë e parë, zgjidhjet e mëdha i jep vetëm LSI

0
1063
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Tiranës, Ardit Çela, vlerëson mentalitetin e kësaj force politike për të afruar dhe promovuar të rinjtë në politikë.

cela
Ardit Çela, nënkryetar i LSI-së së Tiranës

Një nga drejtuesit e listës së Tiranës, Çela shprehet se të rinjtë nuk janë numra në LSI, por janë emra dhe kontribute reale, janë drejtues që kanë marrë përgjegjësi mbi vete. Ai e sheh LSI-në forcë të parë në zgjedhjet e 18 qershorit, nisur nga karakteri i kësaj partie, që, sipas tij, ka krijuar stabilitet e ka dhënë zgjidhje të konflikteve dhe problemeve në politikën e vendit.

Si e vlerësoni kandidimin tuaj në listën për deputet të LSI për qarkun e Tiranës, çfarë do të thotë kjo për ju?

Unë jam i nderuar dhe mirënjohës në të njëjtën kohë që Kryesia e LSI propozoi dhe miratoi emrin tim për të qenë pjesë e listës që do të përfaqësojë LSI në Parlamentin e ardhshëm. Jam një prej themeluesve të LSI dhe prej 6 shtatorit të 2004-s e deri më sot, aktiviteti im politik nuk është shkëputur një sekondë të vetme.

Kam aderuar si një anëtar i thjeshtë i LRI dhe LSI, atëherë një gjimnazist i shkollës “Myslym Keta” në Kombinat, për të vazhduar më pas si Sekretar i Përgjithshëm dhe Nënkryetar i LRI për 7 vite me radhë. Për rreth 9 vjet kam qenë anëtar i Kryesisë së LSI dhe shumë vite edhe Sekretar i Marrëdhënieve me Publikun në këtë forcë politike. Aktualisht drejtoj LSI-në e Njësisë 6 në Tiranë, si edhe në procesin e fundit zgjedhor jam zgjedhur Nënkryetar i LSI-së së kryeqytetit.

Në të njëjtën kohë, kandidimi në Tiranë është një përgjegjësi më shumë jo vetëm në raport me besimin e dhënë nga forca ime politike, por mbi të gjitha në raport me besimin dhe marrëdhënien e përditshme që kam me qytetarët e Tiranës.

Çela gjatë një takimi në zonën e Kombinatit
Çela gjatë një takimi në zonën e Kombinatit

Prej dy vitesh, së bashku me kolegët e tjerë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, jemi përpjekur të bëjmë maksimumin për të qëndruar sa më afër zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të Tiranës.

Tashmë shpresojmë dhe besojmë se në Parlamentin e ardhshëm do të mundemi të hartojmë dhe drejtojmë politika zhvillimore në rang kombëtar. LSI është një forcë politike konstruktive dhe është e fokusuar drejt politikave që sjellin zhvillim e nxisin punësimin.

Në listat e LSI kësaj radhe ka shumë të rinj. Mundet të rinjtë të sjellin aq vota sa i duhen LSI në këto zgjedhje?

Është shumë e vërtetë që në LSI hapësirat për të rinjtë janë të jashtëzakonshme. Kjo e dallon më së shumti LSI nga forcat e tjera politike. Dhe kjo, në fakt, vjen natyrshëm. LSI lindi si një forcë e re, dhe këtu e kam mbi të gjitha fjalën për mentalitetin dhe për parimet mbi të cilët qëndron në këmbë. Në LSI të rinjtë janë emra dhe jo thjesht numra. Në LSI të rinjtë janë drejtues. Përfaqësimi i të rinjve është real dhe jo fiktiv.

Në Këshillin Bashkiak të Tiranës 10 nga 13 përfaqësues janë të rinj dhe të reja, të cilët përditë e ngrenë zërin dhe luftojnë për të zgjidhur problemet e sidomos të bashkëmoshatarëve të tyre.

E mbi të gjitha, mund të them se përfaqësimi është shumë i merituar, dhe kjo jo vetëm sepse votuesit e LSI janë kryesisht të rinj, por edhe sepse Klajda, Kejdi, Floida, Endriti, Erisa, Klevi etj. janë të reja e të rinj me integritet të lartë, energjikë dhe shumë të përgatitur, të cilët do t’i bëjnë nder Parlamentit të ardhshëm.

Vazhdimisht është thënë që LSI pretendon të dalë forcë e parë. Është e mundur diçka e tillë dhe si mund të arrihet?

Pretendimi është legjitim dhe shumë i arsyeshëm. E ka një bazë logjike dhe sigurisht që ka argument të fortë lidhur me këtë çështje. LSI është e vetmja forcë politike në vend me rritje progresive, që nga themelimi e deri më sot. LSI është një forcë politike që ka luajtur një rol të rëndësishëm, shumë pozitiv, konstruktiv për zhvillimet në vend. Realiteti politik ka qenë shumë i ashpër ndaj LSI dhe shpeshherë i pandershëm, dhe ia kemi arritur jo vetëm të mbijetojmë, por të qëndrojmë fort dhe vetëm të rritemi.

Arsyet e rritjes së LSI janë pa diskutim mesazhi pozitiv që ajo përcjell, mesazhi i shpresës dhe i zhvillimit. Janë qindra dhe mijëra të rinj e të reja në të gjithë Shqipërinë që i bashkohen LSI çdo ditë. Janë qëndrimet parimore të LSI dhe zgjidhjet e mëdha që ajo ka sjellë sa herë është dashur. Është sjellja e saj tepër korrekte dhe e sinqertë me qytetarin, larg arrogancës. Është vetë koha që e kërkon LSI forcë të parë politike.

Janë vetë njerëzit. Unë mendoj që njerëzit janë të lodhur me konfliktet e vazhdueshme. Njerëzit duan zgjidhje dhe jo lojëra. Zgjidhjet i ofron LSI. Zgjidhjet e mëdha do t’i japë LSI. Për ne rrugë tjetër nuk ka. Nuk kemi alternativë tjetër. Do të dalim forcë e parë politike në vend. Do t’i fitojmë zgjedhjet.

Dhe këtë do ta bëjmë duke hapur zemrat, duke u folur shqiptarëve të vërtetën, duke komunikuar me ta sikurse kemi bërë çdo ditë të këtyre 13 viteve prezencë në politikën shqiptare, në mënyrë të sinqertë, duke ofruar zgjidhje.

Së bashku me ndihmën dhe me energjinë e qindra dhe mijëra familjeve të thjeshta që kërkojnë një mundësi më shumë për të ndërtuar jetën këtu, në Shqipëri, e pa u detyruar të ikin në emigrim. Së bashku me qindra e mijëra të reja e të rinj që duan një arsim më cilësor e më shumë punësim, ne do ta arrijmë objektivin tonë.

Petrit Vasili është zgjedhur kryetar i LSI. Mendoni se mungesa e Metës do të ndikojë në rezultat?

Petrit Vasili është një personalitet i padiskutueshëm brenda LSI. Nismëtar, themelues, Sekretar i Përgjithshëm dhe Zv.Kryetar, bashkëmarrës i të gjitha vendimeve politike të LSI, e bashkëjetues me të gjitha proceset dhe etapat që ka kaluar LSI në të gjitha këto vite. Jam i bindur se do të jetë garant i një vazhdimësie në rritje dhe i arritjes së të gjitha objektivave që ne i kemi vendosur vetes. Por mbi të gjitha, LSI ka një ekip drejtues për t’u marrë shembull. Petriti, Monika, Endriti, Klajda dhe Kejdi, Floida, Klevi dhe Erklenti, si edhe të gjithë ata drejtues të LSI në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë, do të funksionojnë si një trup, mendje e zemër e vetme, e do ta drejtojnë LSI drejt fitores. Dhe për t’i dhënë një përgjigje të plotë pyetjes suaj, Ilir Meta President, është një arsye më shumë se pse shqiptarët duhet ta votojnë LSI. LSI ofron dhe eksporton stabilitet e zgjidhje. Është kjo filozofi që ne na veçon, është kjo filozofi që do të na nxjerrë fitues.

Si e shikoni pozicionin e LSI pas zgjedhjeve të 18 qershorit?

LSI do të jetë forcë fituese dhe rrjedhimisht drejtuese. Ne jemi gati të drejtojmë vendin. Koha dhe njerëzit kërkojnë që filozofia e LSI të drejtojë vendin, dhe ne nuk mundemi kurrsesi të bëjmë gjë tjetër vetëm se t’i bindemi këtij vullneti e të punojmë fort ta arrijmë këtë objektiv.

Zjarr Tv Ad