Neritan Ceka, gjatë intervistës në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka komentuar rolin e politikës gjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri. Ceka është shprehur se vetëm në Shqipëri, ndodh që një njeri pa eksperiencë, të bëhet direkt Ministër.
Sipas tij, në Shqipëri politika është “rrumpallë”.
“Unë mendoj se politika nuk është profesion siç është mjeku, siç është veterineri, pra duhet të ketë një përgjegjësi duhet të ketë një karrierë. I vetmi vend ku politika afron njerëz pa përvojë në poste të rëndësishme, është Shqipëria. Pra, ti sot je askush, nesër bëhesh Ministër direkt. Nuk po flas për deputetët. Pra, ti nuk mund të bëhesh Ministër i Jashtëm, se të pëlqen ty, nëse nuk ke kaluar në fazën e diplomacisë, nëse nuk e njeh mirë praktikën e shtetit. Dhe kjo ka ndodhur në Shqipëri rëndom.
Kjo ndodh në gjithë sferat. Në çdo vend ka shkallë, pastaj vjen momenti kur mund të bëhesh President etj.
Ky është një “aksident”i organizuar. Unë mendoj që jemi në periudhën e rrumpallës politike, e cila favorizohet edhe nga mentaliteti i votuesve. Votuesi shqiptar kur do të kurojë zemrën e zgjedh doktorin me 100 miq, kur shkon për të votuar nuk ka nevojë për asnjë rekomandim, merr pjeprin e parë që i nxjerrin përpara.
Ky është problemi i madh jo vetëm i politikës, por mënyrës si është organizuar, që nga mentaliteti ynë, i një populli që nuk ka jetuar gjatë në demokraci”, shprehet Ceka.