“Bledi Çuçi mbush magazinat plot me ndihma, për familjet në nevojë në këmbim të votës”. Ishte një denoncim i Vangjel Tavos, udhëheqësi i listës së LSI-së për kandidat në qarkun e Gjirokastrës, që turbulloi ujërat mëngjesin e sotëm në qytetin e gurtë.
Por nga kush mbërritën ndihmat dhe cili ishte destinacioni dhe qëllimi i tyre?
Në një prononcim për gazetaren Ervina Shehaj, drejtori i magazinave të Zjarrfikëses Kujtim Bizhga, tha se këto ndihma ishin donacion i huaj.
“Këto janë ushqimore të mbyllura në kuti, nuk e di se çfarë ka dhe janë të Bashkisë. Ne këtu kemi mjetet e zjarrfikëses, mjetet tona. I magazinuam këtu derisa bashkia t’u gjejë një vend për magazinim”, tha Bizhga i cili nuk e fshehu irritimin ndaj pyetjeve të gazetares Shehaj se çfarë paketimesh janë këto, kur bëhet fjalë dhe për produkte bulmeti të cilat e kanë rezistencën në pak ditë.
“Salcën e kosit në qoftëse e do mund ta gjesh, ik merre ku të duash ti. Mos më trego salcë kosi mua. Dëgjo mos fol me salcë kosi me mua, siç po të flas seriozisht, të më flasësh seriozisht, dakord? Edhe kur të flasësh me mua ki kujdes sepse unë nuk jam nga ata që ti fsheh gjërat as mediave, asnjërit, mirë?”, ka thënë ai me një ton intimidues.
Ndërsa drejtori i Zjarrfikëses Kujtim Bizhga, nuk e di se cili është destinacioni i këtyre produkteve asnjë reagim nuk ka ardhur nga Bashkia e Gjirokastrës, në lidhje me pyetjet: Nga kush erdhën dhe ku do të shkojnë këto ushqime gati 2 javë para zgjedhjeve parlamentare?