Eva Jinek është një moderatore holandeze, e cila thërret ndonjëherë në studio edhe kryeministrin tim holandez, Mark Rutte. Sigurisht, asnjëherë nuk e thërret vetëm për vetëm në studio dhe t’i japë dy orë kohë në prime time, sepse e di se nuk ka asnjë holandez me ca gramë tru në kokë që ta ndjekë atë dy orë në ekran.
Holandezët e duan ekranin për gjëra më të vyera se sa krekosjet e politikanëve për punët që bëjnë me paratë e taksave të holandezëve. Dhe të mendosh që kryeministri im, Mark Rutte është një burrë kaq i qeshur, kaq i dashur dhe kaq komunikues, sa ke edhe qejf ta shohësh në studio. Por Rutte ulet në një tryezë të vogël rrumbullake me folësit e tjerë dhe debaton me ta, sepse e di që ai aty është modestisht për të dhënë llogari.
Si e duroi deri në fund Eni Vasili, kryeministrin e saj (edhe timin me kohë të pjesshme) Edi Ramën gati dy orë në ekran?
Nëse do të ishte Eva Jinek, një bashkëbisedues nervoz, arrogant, të pacipë, fyes, intimidues, mizogjin, do ta kishte nxjerrë nga studioja, drejtpërdrejtë faqe gjithë holandezëve. Sepse Eva Jinek është përfaqësuesja e çdo qytetari të lirë që i kërkon llogari çdo politikani holandez që ka fatet e tyre në dorë, dhe kryeministri përfaqëson shërbëtorin më të madh të kombi të vet, dhe kësisoj duhet të reflektojë modestinë të të skajshme të çdo politikani.
Disa vite më pare kam pare që një moderator holandez, nxorri nga studioja një prokuror shumë të rëndësishëm, pasi vërejti se ai nuk po thoshte të vërtetën dhe po përsëriste argumente që tashme diheshin. Ai mbylli emisionin dhe e la prokurorin me fjalë në gojë. Njësoj kujtoj edhe gazetaren e “Zërit të Amerikës” që e la ish-Ministrin tonë të Shëndetësisë pa mikrofon kur ai nisi të broçkulliste.
Sigurisht, edhe pse u soll një zonjë e vërtetë e ekranit, Eni Vasili nuk mund ta bëjë këtë, sepse nuk e ka të sigurtë ekranin nesër, as ajo, dhe ka të ngjarë, as media e saj. Sepse Eva Jinek, dhe media e saj është pushteti i pushteteve, që flet në emër të pushtetit më të fortë, qytetarit holandez, para të cilit çdo politikan holandez, ndihet minor dhe ka një vetëpërmbajtje dhe sinqeritet personal, që i vjen nga kultivimi dhe kulturimi, por edhe politik, që i vjen nga shkolla politike demokratike nga ka dalë.
Nuk është e shëndetshme për një komb, natyrisht edhe për median e tij që të emetohet kaq nervozizëm dhe arrogance nga ekranet e tij. Dhe kjo ka ndodhur historikisht, me Nanon, me Berishën, me Metën, me Ramën, dhe s’është çudi edhe me Bashën kur t’i vijë radha.
Kush janë këta që uzurpojnë mbrëmjet tona? Mos u jepni më dritare këtyre qenieve parapolitike, që nuk kanë kuptuar se ekrani është yni dhe jo i tyre. Shqiptarë, shtypni “mute” sa herë dalin të tillë, ju dhunojnë juve dhe fëmijët tuaj dhe helmojnë ajrin e shtëpisë suaj, po aq sa antenat që keni përsipër pallateve, po aq sa pluhuri i kantiereve të mëdha që po rilindin urbanisht.
Marrë nga FB e autores