Pedagogia e Fakultetit Ekonomik në UT, Mimoza Magjari është shprehur kundër vaksinimit të detyrueshëm, teksa thotë se ka marrë një njoftim nga administrata e universitetit, i cili nuk ka asnjë bazë ligjore. Ajo thotë se pedagogëve nuk iu jepet asnjë mundësi alternative përvec vaksinimit me detyrim.
“Na është paraqitur një njoftim, na është bërë një kërkesë e pabazuar ligjore, nëse e kemi bërë apo jo vaksinën, dhe kur do ta bëjmë atë. Personalisht e gjej këtë situatë shumë kërcënuese, unë patjetër që e refuzoj, dhe dua ti jap zë këtij fakti. Fakti që nuk ka alternativë tjetër, distancohem dhe e kundërshtoj në mënyrë kategorike”, shprehet Magjari, e cila ka kërkuar dhe konsulencë nga avokati Altin Goxhaj.
Ai shprehet se kushdo që mund të marrë masë administrative ndaj pedagogëve që refuzojnë vaksinimin e detyrueshëm duhet të përballet me përgjegjësi penale.
“Ne besojmë që e kemi gjetur një rugëzgjidhje ligjore, duke plotësuar një formular që nuk e pranon vaksinimin e detyruar. Ligji dhe Kushtetuta i garantojnë shqiptarëve që të mos vaksinohen me detyrim. Në rast se do të prishet marrëdhënia e punës, do të përballet me përgjegjësi jo vetëm administrative por edhe penale. Jemi përballë faktit që Shqipëria është përballë një përplasje fizike, do të ketë një aksion të madh qytetar”, tha Goxhaj.
Ndërkohë që Magjari tha se nëse qeveria do të ishte aq e shqetësuar për shëndetin e pedagogëve, do të duhet të ofronte dhe mundësinë e testeve periodike falas.
“Nëse qeveria është e prokupuar për cilësinë e shëndetit të qytetarëve, duke u injektuar vaksinat, le të ishte kaq bujare dhe në sigurimin e testeve për pedagogët. Është absurde, është një kërcënim aspak i përshtatshëm për kohën kur jetojmë. Unë nuk jam kundër vaksinës, jam kundër imponimit që është bërë në mënyrë të përsëritur, dhe me insistime që të provokojnë qetësinë. Ofro testimet falas, dhe mos kërcëno”, tha pedagogia.