Nëse shqiptarët do të ishin më të lirë, më të ngopur, nuk do t’i votonin kurrë këto palaço politikanë

0
69
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gazmend Kapllani shkrimtari i njohur dhe një zë i angazhuar, mendon se politika në Shqipëri nuk e do diasporën. Kapllani, ish-anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, shprehet se përjashtimi i diasporës dhe mungesa e institucioneve për shqiptarët jashtë vendit, janë një problem i madh që ka Shqipëria sot.

Gazmend Kapllani: Ne kemi një shtet që është armiqësor ndaj diasporës sonë.

Rudina Xhunga: Nuk më duket.

Gazmend Kapllani: Unë e kam jetuar nga afër.

Rudina Xhunga: Pse?

Gazmend Kapllani: Unë kam qenë anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës. Në propozimin që mora më thanë se shkruaja shumë, kisha ndikim, por nga ana tjetër nuk bën diçka praktike. Ishte një ide e mrekullueshme, një ide shumë e mirë. Kishte për qëllim të lidhte diasporën me Shqipërinë.

Hapi i parë ishte e drejta e votës për diasporën. Edhe qeveria edhe opozita, na mashtruan. Ata nuk e duan diasporën. Sepse diaspora është e lirë, mendje hapur, është e pavarur nga ana ekonomike. Unë u largova nga Këshilli i Diasporës sepse ishte një tallje premtimi i votës së tyre.

Pesha e diasporës, duhet të marrë një përmasë politike, të tjerat mbeten fjalë. Vota është e rëndësishme. Mua më intereson të lidhet diaspora me shtetin amë. Sepse besoj që bashkëpunimi i të dyjave do t’i bëjë mirë Shqipërisë, popullit tonë, kulturës sonë. Nuk them që diaspora do ta bëjë Shqipërinë një vend tjetër.

Problemi është lidhja mes Shqipërisë dhe diasporës. Njerëzit që janë këtu duhet të kenë një model që njerëzit që ikin, janë të interesuar për vendin e tyre. Por vota e diasporës mund të lejohet vetëm nëse do të ketë presion nga BE apo Amerika. Politikanët tanë duan të mbajnë status-quo, dhe diaspora e prish këtë status-quo, sepse ajo i mban në pushtet.

Nëse shqiptarët do të ishin më të lirë, më të ngopur nuk do t’i votonin kurrë këto palaço që janë sot në politikë. Nuk do të shkonin në Foltore, apo të vriteshin për parti politike. Klasa politike në Shqipëri ka 30 vjet që mban peng votën e diasporës dhe do të ishte më e ndershme sikur ta thoshin hapur, nuk e duam diasporën.

Klasa politike në Shqipëri nuk e do diasporën. Politikanët tanë të sotëm, e kanë prejardhjen nga njeriu Enverist. Le të dalin sa të duan jashtë shtetit, bota e tyre shpirtërore shkon nga Instituti i Arteve deri te Blloku. Përjashtimi i diasporës, është një problem i madh që kemi tani si komb. Ne tani nuk kemi as edhe një Ministri për diasporën, të paktën të kemi një drejtori. Duhet të ekzistojnë struktura për diasporën.

Rudina Xhunga: Unë e pëlqej faktin që thoni ju “duhet të jetë”. Po sikur t’ju thoshim do të krijohet një drejtori, do ta merrnit ju përsipër ta drejtonit, do ta linit jetën tuaj në Amerikë?

Gazmend Kapllani: Unë jam shkrimtar, nuk di nëse jam i duhuri për të marrë përsipër një detyrë të tillë. Por në mos unë, do të jetë dikush tjetër që do ta bëjë. Unë mund të kem ide, por menaxhimi është diçka tjetër.

Zjarr Tv Ad