Besimtarët myslimanë, të cilët kanë marrë të dyja dozat e vaksinës, i janë drejtuar tashmë Haxhit në Mekë, për të kryer ritin e përvitshëm për faljen e Kurban Bajramit, që edhe këtë vit në mbarë botën, e gjen “të pushtuar” nga pandemia e Covid-19.
Këtë vit, vetëm 60 mijë besimtarë do të lejohet të vizitojnë Mekën, në krahasim me numrin e jashtëzakonshëm para pandemisë, ku në Arabinë Saudite mbërritën 2.5 milionë besimtarë.
Po ashtu, këtë vit janë lejuar vetëm besimtarët e vaksinuar, përkatësisht të moshave nga 18 deri në 65-vjeç dhe ata që nuk vuajnë nga sëmundje kronike.
Xhamia e madhe në Mekë, është dezinfektuar para se të mbërrinin besimtarët, ndërsa atyre që do të falin bajramin aty, do t’u mundësohet një byzylyk elektronik për t’i gjurmuar.