Qytetarë të Tiranës dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë paralajmëruar nesër një protestë përballë Kryeministrisë. Në orën 17.00 të pasdites qytetarët janë thirrur të grumbullohen para Kryeministrisë, sepse siç thonë, “çmimet nuk do të ndalen”.
Aktivisti dhe avokati Adriatik Lapaj shpërndan thirrjen në rrjetet sociale dhe kërkon organizim.
“Ata nuk duan që ne të dalim. Lajm bëhet e keqja, antivlera, tallavaja, sepse ato mbajnë me gajret miletin e lënë të qetë hajdutët të vjedhin nga xhepat tanë. Lajm nuk bëhet reagimi qytetar për çmimet, për pamundësinë për të paguar kostot e jetesës sepse e vërteta e shëmtuar e prish fasadën e jetës mondane të një pakice që i imponohet një shumice të shtypur.
Ndaj bëhu lajms! Njofto kë mundesh. Organizohu. Nesër ora 17.00 përballë Kryeministrisë protestohet! Dikush do thoshte se nuk ndryshohet dot gjë…se mos dolën 30 000 qytetarë të lirë dhe flasim prapë…”, shkruan aktivisti dhe avokati Adriatik Lapaj.