Nesër nisin zgjedhjet evropiane

0
4
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Vendet e Bashkimit Evropian do të nisin të enjten procesin zgjedhor për të caktuar përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian. Votuesit do të zgjedhin mes unitetit të kërkuar nga kampet politike tradicionale apo çintegrimit që mund sjellë një fitore e mundshme e partive euroskeptike anembanë kontinentit.

Zgjedhjet evropiane që mbahen ditën e enjte deri në fundjavë pritet të vënë përballë tradicionalistët përballë populistëve.

Sondazhet parashikojnë që një numër i madh i posteve të partisë popullore, socialiste dhe demokrate do u kalojnë përfaqësuesve të ekstremit të djathtë dhe mbështetësve të italianit Mateo Salvini, francezes Marin Lë Pen, hungarezit Viktor Orban dhe partive simotra nacionaliste.

11 prej këtyre të fundit u zotuan fundjavën e kaluar në qytetin italian të Milanos që ta çlirojnë kontinentin nga uzurpatorët aktualë të Brukselit, dhe të bëhen grupimi i dytë më i madh politik në BE.

Ndërkohë, nga kampi pro-europian, presidenti francez Emanuel Makron ka bërë thirrje për unitet dhe jo ndasi, pasi vota për rivalët e tyre do të nënkuptonte shpërbërjen e një projekti 75-vjeçar.

Procesi zgjedhor në 28 vendet anëtare është planifikuar të nisë të enjten me Holandën dhe Britaninë e Madhe, ku problematikat që u janë shtruar votuesve variojnë nga taksat te politikat ambientaliste dhe deri te Brexit.

Në Gjermani dhe Francë tema kryesore kanë qenë klima dhe ngushtimi i hendekut mes të pasurve dhe të varfërve, ndërsa është tentuar të zhvendoset vëmendja edhe te karta e antiemigracionit, sikurse në Itali, Austri dhe disa vende të Evropës Veriore.

Këto do të jenë zgjedhjet e nënta që Parlamenti Evropian organizon prej vitit 1979.

Zjarr Tv Ad