Test për kredibilitetin e Bashkimit Europian e ka cilësuar analisti Mentor Nazarko, teksa nesër në parlamentin e Maqedonisë së Veriut do të votohet propozimi francez për veton bullgare.
Nëse miratohet, atëherë hapet rruga për procesin e çeljes së negociatave me BE-në. I ftuar në studion e ABC Live, Nazarko tha se Maqedonia e Veriut është në një situatë delikate dhe ka shumë ndikime. Protestat e ditëve të fundit për kundërshtimin e propozimit francez, analisti thotë se kanë ardhur për shkak të ndikimit të fortë të faktorëve të tjerë, kryesisht ato ruse.
Sipas Nazarkos, ndonëse i larguar, ish-lideri historik i opozitës maqedonase, Nikolla Gruevski vijon të ketë ndikim dhe mund të ketë luajtur fije edhe këtë herë.
“Maqedonia është në një situatë delikate. Ka shumë ndikime për shkak të pozitës strategjike të Maqedonisë. Kjo që po ndodh mendoj se lidhet me faktin që opozita e ndikuar fuqishëm dhe nga Gruevski, ish lideri historik i saj, që i ngjan pjesërisht Berishës, por jo dhe aq. Ka vendosur të zgjedhë këtë moment për të destabilizuar vendin.
Situatën në Maqedoni e kam krahasuar me lojën e shahut në park dhe rreth e qark ka tifozë që fusin duart. Në atë që protesta me siguri ka ndikim edhe të faktorëve të tjerë. Ndikimi rus në Ballkan është i fuqishëm. Duket se ka përpjekje për të krijuar vatra krize, fillimisht në Bullgari që u rrëzua qeveria, dhe tani në Maqedoni.
Është roli i Gruervskit posaçërisht, pavarësisht se nuk duket, ndryshe nga Berisha. Ish-kryeministrat maqedonas tërhiqen dhe nuk janë aktivë. Gruevski është e sigurt që lëviz shumë fije.
Një përzierje e tillë e faktorëve të brendshëm, brishtësia e qeverisë së Kovaçevksit, ka edhe nga ata që shohin interes të Serbisë. Në një përzierje të tillë të sallatës maqedonase, ajo që ndodh nesër është test i fuqishëm për kredibilitetin e BE”, u shpreh Nazarko.