Mbarimi i mandatit dhe misionit nga KPK dhe Komisioneri Publik, sjell edhe një lëvizje administrative nga qeveria.
Qeveria vendosi me VKM në mbledhjen e 13 Dhjetorit, që të kalojë nën administrim të SPAK dhe të Ministrisë së Drejtësisë zyrat e rivlerësimit të gjyqtarëve, kjo pasi nga 1 janari 2025, kompetencat e Komisionerëve Publikë do t’i marrë kryeprokurori i posaçëm Altin Dumani.
Mbarimi në fund të këtij viti i mandatit të komisionerëve publikë Florian Ballhysa dhe Irena Nino, pasohet edhe me marrjen e stafetës nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, i cili do të përfaqësojë çështjet e apeluara në KPA.
Ky vendim vjen me mbarimin e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionereve Publikë, të cilat shkrihen të dyja më 31 Dhjetor, bën me dije Report TV.
Mandati i vazhdimit të Vettingut në shkallën e dytë ka si afat qershorin 2026. Ndërkohë gjatë 6 viteve proces kontrolli të trefishtë, në shkallën e parë Vettingut, u kontrolluan 805 funksionarë, prej të cilëve 268 nuk u konfirmuan në detyrë, pa llogaritur rreth 100 prej tyre që u dorëhoqën.
Aktualisht kanë mbetur për tu shqyrtuar në KPA, mbasi janë apeluar, 42 gjyqtarë dhe prokurorë. Kurse në Gjykatën e Strasburgut rezulton se kanë bërë padi 130 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar në Shqipëri.