Duket titull paradoksal, por ja që po vërtetohet ky emërtim. Kështu quhet qeverisja e sotme e Biden nga shumë media në USA. Kështu e emërtojnë edhe plot kongresmenë e senatorë republikanë Shtëpinë e Bardhë. Për plot arsye e motive. Ndërsa sondazhet e freskëta e nxjerrin presidentin si më të papëlqyerin prej votuesve.
Pra populli i vet e ka shpallur ‘Non grata’.
Por komunizmin amerikan ose sorozmin e ndeshim dhe ne shqiptarët. Në rastin e ‘non gratas’ të Berishës shihet një qëndrim kaq i ngurtë sa shkon më tej, në cep të së majtës, te ekstremi i saj. U bënë shtatë muaj që në qiell të pastër ra rrufeja e dënimit të Sali Berishës pas 8 vjetësh larguar nga çdo post e funksion ekzekutiv. Normal që në Shqipëri pati efekt mediatik, psikologjik. Shkurt ishte një scoop i madh.
Po avash-avash kjo goditje nga dramatike u kthye në komike. Ndërsa i dëmtuari kërkoi prova, ashtu siç kërkon çdo i akuzuar në shtete demokratike, DASH heshti dhe hesht. Si në komunizmin e Enverit që dikush më parë akuzohej dhe faktet i sajoheshin më vonë. Por as kjo nuk po ndodh. Po kuptohet që ky dënim i shërben klikës në qeveri e cila ia arriti nëpërmjet lobimit ta marrë firmën e dënimit për Berishën. Sa e besoi populli këtë montazh u duk te stadiumi ‘Air Albania’.
Mbushur sikur do luante Barcelona. Dhe Berisha si Ronaldo ia doli, e bëri golin. Në këtë optimizëm ai kërkoi dhe një herë prej DASH që në se nuk sjell prova ta rishohë dënimin. Por ndodhi ajo që pritej. Pas një darke te Luca, ambasadorja tha se asnjë ‘non grata’ nuk ka pasur anulim. E prova sërish s’ka. Asnjë, asnjë.
Sali Berisha është në të drejtën e tij të mbrojë veten. Por dhe shqiptarët kur nuk po shohin asnjë fakt kundër tij kanë të drejtë të revoltohen. Se po na ndodh si në komunizmin e egër shqiptar. Ndërsa ministrat e Ramës hyjnë në burg për drogë, për vjedhje, korrupsion, grabitje … dënohet Sali Berisha. Fiks si me këngën e mençur labe: ‘Në mos keni prova gjeni. Ia sajoni atij qeni…’