Nga Agim Xhafka: Lypësja/ Ajo nuk qesh, as nuk qan, rri ashtu e ngurosur si statujë serioze, mbi fytyrë i duket nga larg një zbehtësi e fortë/ Zoti të bëri femër, halli nuk të ndryshon, Jeto si femër…

0
71
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...
Nga Agim Xhafka:
(Skicë korriku)
Çdo mëngjes kur jam në Tiranë e nis ditën duke i falur 50 lekë një gruaje që rri te cepi shkollës. Ajo nuk zgjat dorën, as kërkon gjë. Ulet mbi gjunjë dhe ashtu nuk lëviz për katër orë. Nga mesdita çohet dhe ecën shpejt drejt Lanës. Kalon urën e më zhduket nga sytë. Përherë nxiton, ndoshta ka lënë vetëm fëmijët e vegjël në shtëpi ose t’i shërbejë dikujt nga familja që mund ta ketë sëmurë.
 
Lypësja nuk qesh, as nuk qan. Rri ashtu e ngurosur, si statujë serioze. Mbi fytyrë i duket nga larg një zbehtësi e fortë, shenjë se shëndeti i saj nuk ecën aq mbroth. Sot kishte ‘rradhë’ të madhe te vendi ku rri ulur. Prisnin 5-6 burra dhe shumë gra t’i falnin monedhat e zakonshme. U avita. Pashë në krye të dhurueseve Shpresën, fqinjën tonë. Qe ulur në tokë dhe…po bënte me manikyr thonjtë e lypëses.
 
Njerëzit shihnin këtë ritual të çuditshëm e në fytyrë u lexohej një kënaqësi e brendshme. Pasi mbaroi nxori nga çanta një të kuq buzësh. Aq të kuq sa ia zhduku zbehtësinë nga fytyra. Pasi mbaroi ia la te dora manikyrin, të kuqin e buzëve dhe i tha:
-Zoti të bëri femër, halli nuk të ndryshon. Jeto si femër! Kur u afrova t’i vendosja mbi pëllëmbë 50 lekë i vura re sytë. Mbase i kishte të bukur vetë, por sot m’u dukën magjikë. Se shkëlqimin ua jepte edhe lumturia e saj.
 
Njerëzit i vunë te dora monedhat dhe ikën.
Zonja lypëse shihte herë thonjtë e herë prekte buzët me gisht.
E lumtur.
Një paradite jetoi si njeri…
© SYRI.net
Zjarr Tv Ad