Nga Armand Maho –
Ngjarjet e dy ditëve të fundit, po tregojnë se deputeti Lulzim Basha, nuk duhet të ishte kurrsesi kryeari i asaj partie për tetë vite rresht. Mund të bënte fare mirë zëdhënësin e Rilindjes ku do i rrinte mjaft mirë kostumi i Endri Fugës.
Me deklaratat e tij për trazirat e vitit 1997, apo dhe për ngjarjet e 21 janarit, ai jo vetëm ofendoi demokratët, por gjuha me të cilën foli tregoi se s’ka pasur asnjëherë qëllim ta sjellë PD në pushtet. Ndoshta mund të duket pak e ashpër, por është tamam kështu. Ish kryetari që duhet të udhëhiqte demokratët në fitore foli si një militant mediokër i Rilindjes.Them mediokër se ata që kanë një nivel logjik e kuptojnë kush ishte shkaktari i këtyre dy ngjarjeve mbi të cilat e majta ka ngritur shtyllat e saj të propagandës.
Të faturosh fajin tek e djathta për revoltën e bandave komuniste të vitit 1997, këtë gjë mund ta bëjë vetëm një mendje e sëmurë e nostalgjikëve të diktaturës. Duket se ngjarjet e asaj kohe i riu Basha (pse jo me prirje marksiste si shenjë falënderimi për bursën që mori), do i ketë ndjekur nga Hollanda me gojën e zëdhënësve të bandave të 97. Shumë nga ata janë ende gjallë sot dhe mbrojnë më pathos Bashën, ndërsa disa të tjerë i lanë “shëndenë” kësaj bote.
Basha s’ka dashur kurrë ta kuptojë se ai vit i mbrapshtë ishte një goditje ndaj shqiptarisë, këtej dhe andej kufirit. Fakte dhe dëshmi ka plot. Po të dojë mund të pyesë ata që sot nuk janë dakord me paktin e tij me Ramën… Marrëzia e asaj kohe s’ishte gjë tjetër vetëm se vënia në jetë e ndjenjave komuniste të asaj pjese të shoqërisë, kryesisht shërbëtorë apo xhelatë të diktaturës, që pas përmbysjes së vitit 1990 nuk kishin guxim të shihnin në sy shqiptarët. Një deklaratë të ngjashme, jo më pak të shëmtuar, Basha bëri dhe për ngjarjet e 21 janarit 2011. Kur po mbushen 11 vjet nga ajo shëmti ish ministri i brendshëm i asaj kohe ende se ka kuptuar se ajo ishte një lëvizje malinje e Ramës për të dobësuar pushtetin e kohës.
Vetëm një muaj më parë ishte jetësuar liberalizimi vizave dhe Ramës në detin e dëshpërimit dhe panikut që e kish kapluar nga humbja e shpresës se do mundej ndonjëherë të përmbyste ndonjëherë Sali Berishën i duhej një kundërpërgjigje. Në fakt demokratët e kishin kuptuar me kohë që në krye të tyre nuk kishin një lider të së djathtës. Dukej që larg se ai i cili duhej t’i udhëhiqte ishte një adhurues i Edi Ramës, i veprimeve të tij, i diskursit të tij. Dhe pavarësisht faktit që Rama është një politikan nën mesataren, Basha nuk u ngrit as në këtë nivel, por ngeli një kopje e shëmtuar e tij.
Dhe veç kësaj sot tregoi me një veprim të ulët se është dhe qaraman. Në selinë ku tashmë po ndjehet si qiraxhi, thirri këtë të martë ambasadorët për t’ju ankuar për demokratët që po kërkojnë mbrapsht shtëpinë e tyre. Në rast se do kishte mbështetjen që ai pretendon s’do kishte nevojë për veprime të tilla të dëshpëruara, prej fëmije të llastuar dhe frikacak.
Akoma se ka kuptuar se pas kuvendit të 11 dhjetorit s’mund ta shpëtojë më asgjë. Por, veç të tjerave zhvillimet e ditëve të fundit tregojnë qartazi se sa i lehtë është për t’u mundur Edi Rama. Edhe më skeptiku e di fare mirë se në një përballje me Sali Berishën, shanset që Rama të mbajë pushtet i ka të pakta. Prandaj si politikan hileqar që është goditi PD-në në pikën e saj më të fortë, megjithëse me veten e ka pohuar tashmë se i kishte bërë hesapet pa hanxhiun.
Edi Ramës i duhet një Lulzim Bashë, për t’u shndërruar në një Putin të vendit të vogël të Ballkanit dhe Sali Berisha ishte një pengesë serioze. Sa për ish-kryetarin e PD-së, ai në atë seli jo vetëm që humbi mundësinë për të qenë mysafir i saj, por me veprimet e tij për t’u kapur fort pas bravave dhe vulave tregon se besimin e demokratëve e ka shfrytëzuar fort për interesa personale dhe ekonomike. Jo vetëm që i ka ofenduar por duket qartë se dhe i ka përbuzur, njësoj si shefi i tij në krye të rilindjes. Sepse po të ishte e kundërta sot nuk do kishte nevojë t’i lutej Yuri Kim që ta shpëtojë, por do ishin vetë demokratët që do i dilnin për zot