Nga Armir Shkurti/ Po vijnë zgjedhjet shokë!

0
476
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Armir Shkurti

Thonë se një herë në një kohë një mbret vendosi të martojë më të mirën e vajzave të tij. Ndaj shpalli një datë orë e vend ku të gjithë djemtë e interesuar të vinin e të shfaqnin premtimet e tyre. Kush do të jetë më i zoti le ta marrë!
Në datën e caktuar biri i një princi nga larg erdhi me dhurata shumë dhe i premtoi të bijës së mbretit pasuri pafund.
Djali i një gjenerali të fuqishëm i premtoi të ndërtojë një pallat të lartë me mermer vetëm për të. Një fisnik vendas i premtoi lumturi të pafundme…e kështu kaluan të gjithë, deri kur i erdhi rradha një djali të fuqishëm por jo nga sërë e lartë nga ai vend. Kur e pa turma nisi të mërmërisë. Çne ky djalosh i thjeshtë të kërkojë dorën e vajzës më të mirë të mbretit?
Ai hapi një kuti të madhe ku kishte patkonj, zinxhirë të të gjitha llojeve, shpata, përkrenare, enë bakri e plot sende të tjera prej metali.
Heshtje!
Askush s’po kuptonte gjë. Deri kur djaloshi foli:
– Madhëri! Ju ftuat djelmurinë të bëjë premtimet dhe të zgjidhni më të zotin. Nga ç’pashë, të gjithë erdhën me pasuritë e baballarëve e nuk treguan ndonjë zotësi të tyren. Ndërsa unë, madhëri, këto që ju kam vënë para i kam bërë të gjitha me duart e mia! Këtë di të bëj, e bëj shumë mirë dhe do ta bëj gjithë jetën….
Turma nisi të mërmërisë në korr. Mbreti u nxi!
– Mos u shqetësoni, Madhëri! Nuk po ju kërkoj dorën e bijës suaj më të mirë! Po ju kërkoj thjesht që mbreti ynë i ardhshëm të jetë dikush që nuk bën premtime në erë, që di të bëjë vetë mirë diçka e vetëm atë që ka treguar se di ta bëjë mirë le të na premtojë!

* * * * * *

Po vijnë zgjedhjet shokë! Do dalin plot nga ata që – si të gjithë më parë – do t’ua qajnë me “oi” hallin, do t’ju tregojnë më mirë se ç’ju dhemb juve se sa shumë ju dhemb. Do t’ju flasin për lugë floriri e Parajsë në tokë. AMANET!
Besojini vetëm atyre që 1.e kanë bërë një gjë në jetë deri sot 2. (dhe shumë e rëndësishme) JU TREGOJNË SE SI DO T’JU NXJERRIN NGA E KEQJA! Me program e jo me fjalime, se me fjalime kemi 100 vjet që e hamë!

Zjarr Tv Ad