Nga besa, te kodi i heshtjes

0
62
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

PËLLUMB NAKO

Drejtori i Policisë së Shtetit që u shkarkua së fundmin nga detyra, nuk pati as mundësinë të nxjerrë në… dritë diçka që të mbante vulën e tij. Ministri thotë për mospërmbushje të objektivave.

Madje, shton se ai duhet hetuar për një deklarim publik të bërë lidhur me arratisjen e 14 kriminelëve si rezultat i dekonspirimeve nga brenda radhëve të Policisë. Në fakt, ministri, në vend të dëshirës për ta hetuar, më mirë të kërkonte dëshminë e tij. Komentet dhe hamendësitë kanë qenë të shumta. Keq apo shumë keq, shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nuk është problemi kryesor në kontekstin e funksionimit të një shteti që pretendon se është demokratik, ku dominon e drejta. Kjo qeveri ka shkarkuar me një të rënë të lapsit dhjetëra e qindra punonjës së Policisë së dikurshme, dhe jo vetëm, pa asnjë referencë ligjore. Masivisht në administratë ka pasur dhe ka pushime nga puna, që shoqërohen me procese gjyqësore civile, ku shteti është thuajse gjithmonë i humbur. Nga mënyra se si funksionon ky shtet, shkarkimi në fjalë nuk është gjë tjetër, veçse një numër më shumë. Problem madhor për fatet e shoqërisë shqiptare mbetet pikërisht shkelja brutale e ligjeve që normojnë hallkat e funksionimit të institucioneve të shtetit ligjor, në emër të të cilit bëhen aq shumë përbetime.

Në Shqipëri, rëndësi madhore ka zbatimi i ligjit penal dhe i atij administrativ që ndëshkon me gjoba. Dhe për këtë i bihet gjoksit fort duke reklamuar se po ndërtohet shtet. A mjafton kjo? A mund të ndërtohet shteti ligjor duke respektuar vetëm ligjin penal, shkelja e të cilit të ngarkon me përgjegjësi apo edhe ligjet administrative që të ndëshkojnë me gjobë? Me fjalë të tjera, a mund të jepet garancia e ndërtimit të shtetit ligjor vetëm nëpërmjet zbatimit të atyre ligjeve, të cilat parashikojnë dënimin me burg apo gjobë administrative? Pra, nga frika. Mjafton me kaq që një shoqëri e civilizuar në parametra normalë, të ndërtojë të ardhmen e saj?

Kjo pyetje bëhet sepse janë me mijëra e me qindra ligjet me karakter normativ, të cilat ndërtojnë mënyrat e larmishme të funksionimit të administratës së shtetit, por që nuk parashikojnë as përgjegjësi penale dhe në shumicë as përgjegjësi financiare. Gjë që është normale. Por nga ana tjetër janë pikërisht këto ligje që shkelen dhunshëm dhe me shumicë. Askush nuk ka frikë nga përkëmbja e tyre. Anashkalohen, shpërfillen, sikur të mos ekzistonin fare. Një gjë e tillë do të thotë se raport me ligjin, shoqëria shqiptare, përfshi sidomos qeverisjen, klasën politike, administratën e lartë, funksionon vetëm frika nga ndëshkimi sepse të tjerat pa dënime nga pas, shkelen pa asnjë siklet. Kjo ndodhi edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe po kështu ka ndodhur për qindra e mijëra persona të dëbuar me dhunë nga administrata.

Nëse për ligjin penal, si instrument garantimi për zbatim, përveç përgjegjshmërisë së individit, ekziston edhe frika e ndëshkimit me burgu, po për këto ligje normative që rregullojnë pikërisht funksionimin e administratës, cili mund të jetë instrumenti që garanton zbatueshmërinë në mungesë të përgjegjësisë penale apo të gjobës administrative?

Nëse do t’i referoheshim aktualitetit, garant për zbatimin e këtij korpusi masiv ligjor, mbetet Kodi Moral apo përgjegjshmëria civile e klasës politike dhe e administratës së lartë. Nëse do t’i referoheshim filozofisë iluministe të Rusoit, garante e zbatueshmërisë në këtë kontekst do të ishte “kontrata sociale”. Dhe së fundi, nëse për të njëjtën gjë do t’u referoheshim traditave më virtuoze të popullit shqiptar, do të ishte besa. Kontrata sociale presupozon një marrëveshje të heshtur ndërmjet qeverisjes dhe të të qeverisurve prej saj për të punuar së bashku në harmoni duke respektuar njeri-tjetrin. Kontrata sociale nuk është gjë tjetër veçse bashkëpërgjegjësi civile ndërmjet qeverisë dhe e popullsisë për të respektuar rregullat e përbashkëta që mundësojnë jetën në komunitet. Ekzaktësisht e njëjta gjë është edhe besa. Institucion që rregullon marrëdhëniet njerëzore në mungesë të një instrumenti rregullator të përbashkët me karakter ligjor. Te besa dominon përgjegjshmëria e individit për të jetuar në harmoni me të tjerët. Qeverisjet në Shqipëri, të paktën deri tani, nuk kanë respektuar në raste të panumërta ligjet që normojnë funksionimin e administratës duke shkelur rregullisht edhe kontratën sociale, edhe besën.

Dhe më konkretisht, në rastin e shkarkimit të drejtorit të Përgjithshëm, kontrata sociale e Rusoit dhe besa e shqiptareve presupozon që secili të respektojë rregullat, për të cilat është rënë dakord: Publiku i gjerë shkon në zgjedhje i lirë, Parlamenti i dalë prej tyre formon qeverinë dhe harton ligje dhe qeveria së bashku me nivelin e lartë të piramidës policore të respektojnë ligjin sepse kështu e presupozon edhe besa, edhe kontrata sociale. Por, në këtë rast, ligji për Policinë e Shtetit nuk e njeh shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për motivacionin e dhënë nga ministri. Pra, qeverisja nuk ka respektuar pikërisht aktin më të lartë civil të bashkëjetesës komunitare siç është kontrata sociale sipas konceptit të mësipërm. Ajo shkelet rëndom nga këta dy aktorë elitarë, të cilët kërkojnë dhe pretendojnë përgjegjshmëri më të madhe civile nga shtresat sociale masive. Madje, shpesh ankohen për to. Kështu tha edhe Kryeministri në një kanal të huaj televiziv: Korrupsioni nuk luftohet sepse nuk ka administratë. Por administratë nuk mund të ketë pa respektuar “kontratën sociale”. Dhe ai që nuk e respekton, është pikërisht ankuesi.

Ky është problemi më i rëndë social në vendin tonë: mosrespektimi apo mungesa e ndërgjegjësimit për një pakt social kombëtar të bashkëpërgjegjësisë së qeverisë dhe popullatës për të respektuar rregullat bazë të jetesës në komunitet. Shkelja e ligjeve normuese të administratës nga qeverisja është tregues i shkeljes flagrante të kësaj kontrate, apo edhe të besës. Fakti dëshmon për një klasë politike shumë të shtrenjtë në kosto, tmerrësisht të parfumosur e pispillosur, me pretendimin se përbën elitën e vendit, ndërkohë rezulton me pjekuri sociale në nivel mediokër i karakterizuar nga shkelja përditë e kontratës morale me zgjedhësit, tregues i qartë ky i mungesës minimale të civilizimit. Ndërkohë, ndryshe nga drejtori i fundit i Policisë së Shtetit, paraardhësit e tij që iu nënshtruan presionit duke dhënë dorëheqjen, janë shpërblyer me poste dhe ofiqe të rëndësishme. Në rastin e tyre në fakt, nuk është respektuar as kontrata sociale e as besa. Kodi i besës nga këta individë është zëvendësuar me kodin e heshtjes. Dhe ky i fundit dihet që është mafioz.

Zjarr Tv Ad