Nga Bujar Nishani
Të dashur miq, Partia Demokratike e Shqipërisë ja arriti të ndalë një platformë të poshtër për kthimin e saj “de facto” në një fasadë të pluralizmit, në një kukull të rregjimit majtist, në një kadavër politike. Prej 8 vitesh strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit dhe qarqet antishqiptare në rajonin tonë, u investuan në një projekt të lig të korruptimit, të kapjes, të minimit të forcës kryesore politike të së djathtës në politikën shqiptare.
Një platformë e mbështetur tërësisht tek modeli i blerjes, korruptimit e pas kësaj shantazhimit të hierarkisë vendimarrëse e politik-bërëse të asaj që duhet të ishte oponenca më e fortë, aksioni i përditshëm, alternativa më e besueshme për rrëzimin dhe zëvendësimin e rregjimit të hajnisë më ekstreme të parë ndonjëherë në këtë vend. Post 25 prilli 2021 i hoqi kapakun këtij kazani ku kundërbonte ky kalbëzim i madh. Demokratët ja arritën të ringrihen në këmbë, ti dalin zot parimeve të tyre, të rikthejnë në vlera sakrificat prej dekadash, të rivendosin drejtësinë e dinjitetit të tyre.
Kuvendi Kombëtar i një meidani gjigand në “Air Albania”, Referendumi mbarë kombëtar prej Vermoshi në Konispol dhe Primaret si modeli kampion i demokracisë, vulosën çlirimin e shtëpisë së demokratëve nga kapja korruptive e pushtetit dhe rikthimin e alternativës konkuruese reale për shqiptarët.
Kjo alternativë e vërtetë, me dinjitet dhe alternativë qytetarie vjen si provë e parë më 6 mars, vjen si Shtëpia e Lirisë për çdo shqiptar që e neverit si hajninë dhe korrupsionin qeveritar po ashtu dhe fasadën e turpshme të kukullave në bishtin e qeverisë.
Dallimi i parë i madh mes vullnetit masiv të Primareve të demokratëve nga njëra anë dhe emërimeve personale nga bunkeri i aneksit qeveritar nga ana tjetër, është ekstremisht i fortë. Veçanërisht ky dallim verifikohet mes identiteteve të kandidatëve të demokratëve dhe çirakëve të kukullës qeveritare.
Demokratët 24 karatësh në Shtëpinë e Lirisë as mund të krahasohen me pelivanët e 100 fytyrave, që ndërrojnë teseren sa herë ka zgjedhje, me tenderaxhinjtë e xhepit qeveritar apo kontigjente të korrupsionit dhe aktiviteteve kriminale. Misioni i Shtëpisë së Lirisë është shumë më i madh se sa zgjedhje të pjesëshme në 6 bashki.
Kandidatët demokratë të Shtëpisë së Lirisë dhe të gjithë patriotët e këtij vendi, jo vetëm do të ndryshojnë modelin e qeverisjes së mbrapshtë por dhe do të këpusin bishtin i spërdredhur të tradhëtisë që ushqehet çdo orë e minut me pisllëkun e hajnisë.
Shtëpia e Lirisë, shtëpi e çdo demokrati dhe patrioti është tashmë jo vetëm një opozitë e vërtetë por dhe alternativa e fortë e rrëzimit të korrupsionit qeveritar, talljes ndaj qytetarëve, torturave të përditëshme ndaj familjeve të tyre.
Shtëpia e Lirisë është produkti i demokratëve të vërtetë që asgjesuan rrjetën e zezë të ish Sigurimit të Shtetit, që e rrezikoi seriozisht ekzistencën e partisë së tyre dhe vetë pluralizmin real shqiptar. Shqipëria më e para !