Nga Edi OGA
Politika nuk mund t’i gënjejë më shqiptarët.
Ajo tashmë ka shpërfaqur paturpësisht të gjithë lakuriqësinë e saj! Në ditët e sotme, çdo qytetar i këtij vendi, pavarësisht formimit, nivelit kulturor apo shkallës së inteligjencës,pavarësisht se ku banon, në Kryeqytet, në qytet apo fshat, nuk gënjehet më nga politika si një fëmijë përballë një prestidigjitatori në cirk. Çdo individ pozicionohet kundrejt politikës me ndërgjegje të plotë, me arsye, vetëm me arsye, pa më të voglin emocion.
Sot çdo qytetar e shikon politikën me pragmatizëm, si një mundësi për të dhënë sa më pak e për të marrë sa më tepër, prej saj.
Politika e ka humbur të drejtën për të premtuar zhvillim, progres dhe mirëqenie për të gjithë. Ajo nuk e ka bërë këtë për 30 vite dhe nuk ka ndërmend ta bëjë as për 300 vitet e ardhshme. Çdokush e ka kuptuar dhe mundohet ta shfrytëzojë politikën për interesa, qofshin këto të vogla apo të mëdha, afatshkurtra apo afatgjata.
Politika bazohet tek aktiviteti i partive politike, të cilat krijohen nga energjia e sinqertë dhe e pamatur e një grupi të madh njerëzish që kërkojnë ndryshim, por në pak vite, sidomos pas dy mandatesh rresht qeverisjeje, kthehen në kompani aksionere biznesi.
Anëtarët e kësaj kompanie, nga më i thjeshtë deri tek kryetari, pretendojnë përfitime materiale me dividend sipas aksioneve që kanë. Problemi qëndron se numri i aksioneve që çdo anëtar partie ka në kokën e tij, nuk përputhet me numrin e aksioneve që të tjerët në parti mendojnë se ai ka, sidomos kryetari.
Në partitë tona politike, vendos kryetari!
Sot, partitë politike në Shqipëri, çdo ditë e më tepër janë domain absolut i kryetarëve të tyre. Ata kanë përdorur çdo mënyrë, çdo mekanizëm ligjor apo antiligjor, moral apo imoral, (pseudo) demokratik apo autoritar, për të shtënë në dorë këto kompani fitimprurëse me emrin ‘parti politike’! Ata janë shndërruar në dikatatorë të padiskutueshëm të ‘shtëpisë’ së tyre dhe, kur marrin pushtetin, në diktatorë të krejt vendit!
Partitë politke sot nuk kanë më lider, kanë pronar. Sot lufta politike nuk bëhet midis partive, që njëra parti të rrëzojë tjetrën dhe të sjellë ndryshimin e premtuar, sot lufta politike e vërtetë bëhet vetëm ‘brenda llojit’, kush e kush do të ngjitet në majë e të bëhet pronar i partisë së vet. Betejat elektorale midis partive janë kthyer në komedi të shpifura, ku fituesi dhe humbësi janë paracaktuar me marrëveshje të fshehtë midis tyre, me terma të qartë referenca, me garanci të dhëna e që respektohen. Në fund të fundit, e gjithë politika është kthyer në një konsorcium, ku disa kompani kanë ‘turnover’ më të madh dhe për arsye ‘statusquo-je’, subvencionojnë kompanitë ‘me humbje, lexo, partia në pushtet i hedh kocka të majme partisë në opozitë, me garancinë që pjesën e luanit e merr kryetari dhe njerëzit më pranë tij.
Dakord me teorinë, po unë çfarë duhet të bëj?
Ka vetëm dy rrugë:
- Të hidhesh ‘me kokë’ tek njëra nga partitë e mëdha, duke synuar të kapësh sa më shumë, nëse nuk je i zoti të arrish aty ku do me aftësi dhe punë të ndershme.
- Të kultivosh kopshtin tënd, (semicit. Voltaire), duke krijuar sa më pak varësi nga pushteti dhe politika.
Demokracia e kulluar, nuk ekziston. Edhe ajo e njollosura, është sterrosur komplet, përderisa nuk funksionon më as brenda vetë partive politike të cilat sot, paturpësisht, prodhojnë vetëm diktatorë dhe servilë.